Shqetësohet ish-diplomati serb: SHBA-ja është me Kurtin, zhgënjyes qëndrimi i BE-së

Prishtinë | 02 Shk 2022 | 18:03 | Nga Ekonomia Online

Ish-diplomati i Sllobodan Millosheviqit, Zoran Millivojeviq konsideron se “Serbia mund të përballet me presion të shtuar në periudhën e ardhshme kur bëhet fjalë për negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se vizita e përbashkët e të dërguarit të posaçëm të SHBA për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesit të Dialogut të BE-së Miroslav Lajçak në Prishtinë sugjeron se do të jetë një format i ri për bisedimet mes dy palëve”.

Duke folur për televizionin publik serb RTS, ai ka pretenduar se “respektimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është kusht për vazhdimin esencial të dialogut dhe se ofrimi i të ashtuquajturit “model belg” nuk është fare temë bisede”.

Ai tha se qëndrimi i SHBA-së është krejtësisht në përputhje me qëndrimin e kryeministrin të Kosovës, Albin Kurti, ndërsa e cilësoi “zhgënjyes” qëndrimin e BE-së.

“Vetë fakti që tema krejtësisht po shqyrtohet, që Asociacioni po diskutohet përtej asaj për çfarë është marrë vesh, e vë në pikëpyetje pozicionin e BE-së”, thotë Millivojeviq.

Atë e ka shqetësuear edhe fakti që Lajçak dhe Escobar erdhën së bashku në Kosovë. Millivojeviq thotë se Brukseli dhe Washingtoni po veprojnë së bashku “për herë të parë”.

“Edhe pse Lajçak thotë se jemi ndërmjetës, ata në Prishtinë kanë vepruar plotësisht së bashku, që çon në përfundim për një format të ri. Evropianët duhet të sqarohen për këtë. Ajo që pamë në Prishtinë, në paraqitje, është që po shohim një unitet të qëndrimit në relacionin Bruksel-Washington”, ka thënë ish-diplomati serb.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme