Shqipëria dhe Franca kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi mes Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për realizimin e një projekti gjithëpërfshirës për turizmin e qëndrueshëm në rajonin e Korçës.
Gjatë konferencës së përbashkët për media me presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si një moment krenarie dhe falënderimi për mbështetjen e Francës.
Rama theksoi se kjo vizitë e dytë brenda një kohe të shkurtër nga kreu i shtetit francez pasqyron marrëdhënie gjithnjë e më të ngushta mes dy vendeve dhe krijimin e një substance të re në bashkëpunimin evropian.
“Është një ndjesi e jashtëzakonshme e mbarësisë, që në një kohë kaq të shkurtër presidenti i Francës, riviziton Shqipërinë, dhe qëndron për një tjetër vizitë bilaterale, gjë që na jep shumë krenari, por njëkohësisht edhe shumë mirënjohje, për këtë shtysë të fortë nga ana e presidentit dhe Francës”, tha tutje kryeministri.