Ditën e sotme është ekstraduar nga Shqipëria për në Gjermani, 23-vjeçari Shkëlqim Kastrati.
Ky i fundit është kërkuar nga Gjermania prej 5 vitesh, pasi tentoi që të vriste një roje në një klub nate në këtë vend.
Njoftimi:
Kastrati, me pseudonimin Kimi ishte i shpallur në kërkim nga Interpol Wiesbaden/Gjermani, pasi Gjykata e Villingen Schwenningen, me datë 15.12.2017, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë.
Sipas dosjes hetimore, Shkëlqim Kastrati me origjinë nga Kosova, është implikuar në një ngjarje të rëndë në Gjermani, ku si pasojë e një konflikti me punonjësin e sigurisë së një klubi nate, e ka qëlluar këtë të fundit me pistoletë duke e dëmtuar rëndë. Fatmirësisht punonjësi i sigurisë ka mundur t’i shpëtojë sulmit me armë, për shkak se në trup mbante të veshur një jelek antiplumb.
Kastrati u arratis drejt Shqipërisë dhe u arrestua nga policia në maj të vitit 2019.