Shqipëria fiton arbitrazhin ndërkombëtar, shmanget dëmi prej 37 milionë eurosh

Prishtinë | 22 Gus 2024 | 17:14 | Nga Ekonomia Online

Shqipëria ka fituar një tjetër përballje në çështje të arbitrazhit ndërkombëtar, me kompani të cilat kanë pasur pretendime për shkelje të kontratave nga ana e Ministrisë së  Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ky është procesi i tretë në arbitrazhin ndërkombëtar, që qeveria shqiptare fiton kundrejt kompanive të huaja dhe që lidhen me procedurat e ndjekura nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Kompania austriake IVICOM Holding GmbH kishte nisur një proces gjyqësor në dhjetor të vitit 2021, kundër Republikës së Shqipërisë pranë Institutit të Arbitrazhit të Dhomës së Tregtisë së Stokholmit (SCC).

Procesi ishte bazuar në Traktatin e Kartës së Energjisë (ECT) që mbron investimet e huaja në sektorin e energjisë.

Pretendimi i ngritur nga kompania ishte se Shqipëria, përmes vendimeve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë  kishte ndërmarrë veprime diskriminuese duke shpronësuar investitorin IVICOM Holding GmbH.

Rrjedhimisht ishte shkaktuar një dëm të vlerësuar fillimisht prej 50 milionë eurosh, pretendim i cili gjatë proçesit të Arbitrazhit u reduktua pasi vlera  37 milionë euro, plus interesat e akumuluara.

Investimi bënte fjalë për ndërtimin dhe zhvillimin e një termocentrali me turbina me gaz me cikël të kombinuar 500 MW në qytetit të Korçës.

Në 26 qershor 2024, Tribunali Ndërkombëtar i Arbitrazhit me seli në Stokholm vendosi që Republika e Shqipërisë nuk kishte shkelur asnjë rregull të Traktatit të Energjisë (ECT) dhe hodhi poshtë tërësisht pretendimet e IVICOM.

Vendimi i Arbitrazhit hodhi poshtë pretendimin e IVICOM Holding GmbH se Republika e Shqipërisë e keqpërdori diskrecionin e saj për shkak të preferencave dhe lidhjeve politike.

Në këtë proces të arbitrazhit ndërkombëtar, Republika e Shqipërisë u përfaqësua nga Avokatura e Shtetit, e mbështetur nga ekspertët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe e asistuar nga studio ligjore ndërkombëtare Clifford Chance.

Të ngjashme