Koronavirusi, i njohur si virusi i Kinës është i ngjashëm me gripin tradicional, por simptoma më të rënda. Shefja e departamentit të promocionit shëndetësore pranë Institutit të Shëndetit Publik në Shqipëri, Genta Çela thotë se nuk ka asnjë rast të evidentuar. Nga ana tjetër, infeksionet respiratore kanë pësuar rritje krahasuar me një javë më parë.
Asnjë qytetarë shqiptar nuk është evidentuar si i prekur deri më tani nga koronavirusi, që ka shkaktuar të paktën 17 viktima në Kinë.
Në një intervistë për RTV Ora, shefja e departamentit të promocionit shëndetësore pranë Institutit të Shëndetit Publik, Genta Çela, shpjegon se simptomat e koronavirusit janë të njëjta me atë të gripit normal, por klinikisht shumë më i fortë.
“Është një virus i ngjashëm si virusi i gripit, por shenjat klinike janë më të ashpra dhe me komplikacione më të mëdhaja. Ne nuk kemi asnjë rast”, tha ajo.
Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për infeksione të tjera respiratore. Deri më tani janë shënuar rreth 12 mijë të prekur nga këto infeksione. Megjithatë mjekët thonë se situata ende mbetet normale për stinën.
Mjekët theksojnë se qytetarët janë ende në kohë për tu vaksinuar kundër gripit, pasi qarkullimi i virusit pritet që të jetë prezent deri në muajin mars.