Shqipëria renditet ndër vendet e Europës që kanë një nivel të ulët të vdekshmërisë për 1000 banorë, me 7.7 vdekje për 1000 banorë, për vitin 2017. Të dhënat janë publikuar nga Eurostat dhe janë përpunuar për shtetet europiane nga Il Sole 24 Ore.
Sipas grafikut të hartuar nga Monitor, bazuar në këto të dhëna, Shqipëria renditet në vend të shtatë në Europë, për nga niveli i ulët i vdekshmërisë, pas Irlandës, Islandës, Luksemburgut, Maltës, Norvegjisë, Qipros, duke pasur madje të njëjtin nivel me Qipron dhe Norvegjinë.
Vendi që renditet në fund është Bullgaria, me 15.5 vdekje për 1000 banorë. Edhe vendet e tjera të rajonit kanë nivel të lartë vdekshmërie si Serbia (14.8), Greqia (11.6), Kroacia (12.9), Mali i Zi (10.5), Maqedonia (9.8), transmeton Monitor.al.
Në Itali dhe Gjermani, këto norma janë përkatësisht 10.3 dhe 11.4.
Pavarësisht se janë ndër më të ulëtat në Europë, vdekjet në Shqipëri po vijnë në rritje vit pas viti, duke reflektuar plakjen e popullsisë dhe rritjen e sëmundshmërive. Në vitin 2016, ky tregues ishte 7.4, që e renditje Shqipërinë të kartën në Europë, për nga niveli i ulët i vdekshmërisë.
Sipas të dhënave të mëparshme të INSTAT, në vitin 2017, numri i vdekjeve të regjistruara në Shqipëri është 22.232, duke shënuar një rritje prej 3,9%, krahasuar me vitin paraardhës. Sipas gjinisë, numri i vdekjeve të raportuara për meshkujt është 11.610 (2,9% më shumë se në vitin 2016) dhe për femrat 10.622 (5,1% më shumë se në 2016).
Koeficienti bruto i vdekshmërisë për vitin 2017 është 77,4 vdekje për 10 mijë banorë, përkundrejt 74,4 që ishte në vitin 2016. Referuar shkaqeve të vdekjeve, peshën më të madhe e zënë vdekjet nga “Shkaqet natyrale” 90,1%, ndjekur nga “Aksidentet” me 2,1%.
Në vitin 2017, vdekjet nga grup-sëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut”, përbëjnë 53,7% të vdekjeve gjithsej. Ky grup-sëmundjesh vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve, me një nivel vdekshmërie 41,5% për 10 mijë banorë, duke shënuar një rritje prej 2,5%, krahasuar me vitin paraardhës. Brenda këtij grupi, përqindjen më të lartë e zë vdekshmëria nga “Sëmundje të enëve të trurit” me 32,6% dhe “Sëmundje kronike të zemrës” me 26,3 %.