Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, do t’i dërgojë mesazhe homologes së tij serbe, Maja Gojokovic dhe atij francez, Claude Bartolone, rreth arrestimit të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Këtë e ka konfirmuar vetë Meta, gjatë vizitës që i bëri dje AAK-së. Ai tha se Shqipëria nuk do të rrijë duarkryq rreth këtij rasti
Arrestimi i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, ka trazuar edhe Shqipërinë dhe autoritetet më të larta në Tiranë. Këtë herë, Shqipëria nuk do të rrijë duarkryq derisa shqiptarët kudo që janë provokohen dhe arrestohen. Madje, shumë shpejt kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, do të nisë edhe një mesazh në drejtim të homologes së tij serbe, Maja Gojokovic dhe atij francez Claude Bartolone.
Këtë e ka konfirmuar vetë kryeparlamentari shqiptar, Ilir Meta, gjatë vizitës që i bëri dje AAK-së, në Prishtinë. Meta, duke u shprehur optimist se kjo çështje do të marrë fund shumë shpejt, ka potencuar se lideri i AAK-së, është simbol i shqiptarëve jo vetëm në Kosovë, por në gjithë botën.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, ka thënë se beson tek veprimet demokratike të Francës dhe respektimin e konventave ndërkombëtare. Ai ka folur edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, flet-arrestet e tilla të lëshuara nga Serbia nuk i shërbejnë as dialogut, paqes, stabilitetit, apo mirëkuptimit.