Pak ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç publikuan një artikull të përbashkët në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), ku propozojnë një model të ri integrimi për vendet e Ballkanit Perëndimor: hyrje të përshpejtuar në Bashkimin Evropian, por pa të drejtë vetoje dhe pa të drejta të plota institucionale.
Ideja e tyre është që vendet kandidate të përfshihen më shpejt në tregun e përbashkët dhe në hapësirën Schengen, edhe nëse nuk marrin të gjitha të drejtat që kanë shtetet aktuale anëtare.
Në shikim të parë kjo mund të duket si një kompromis pragmatik për të përshpejtuar integrimin. Por në realitet, kjo iniciativë ngre disa pyetje serioze politike dhe strategjike për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.
Çështja e Kosovës
Dimensioni më problematik politik i kësaj nisme është konteksti rajonal.
Serbia vazhdon të refuzojë njohjen e Kosovës dhe e konsideron atë pjesë si territor të saj. Në të njëjtën kohë, Kosova është shteti më pro-evropian dhe më pro-perëndimor në rajon.
Nëse Shqipëria pozicionohet në një projekt politik të përbashkët me Serbinë për integrimin evropian, automatikisht pozicionohet kundër kushtit evropian, që nëse Serbia do të hy në BE duhet ta pranoj Kosovën (kapitulli 35). Kjo do ishte goditje ndaj Kosovës dhe favor i çmueshëm për Serbinë. Ky do ishte një sinjal i rrezikshëm për BE, se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën nuk është më një kusht i domosdoshëm dhe se interesat gjeopolitike të Serbisë mund të relativizohen.
Ky do të ishte një gabim strategjik për interesin kombëtar shqiptar.
Pse Shqipëria (nuk)duhet të lidhet me Serbinë?
Shqipëria është ndër vendet më pro-evropiane në rajon, me mbështetje shumë të lartë për anëtarësimin në BE, ndërsa Serbia është vendi më skeptik ndaj BE-së në Ballkanin Perëndimor. Serbia gjithashtu mban lidhje të forta politike dhe energjetike me Rusinë dhe refuzon të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në.
Në këtë kontekst lind pyetja themelore:
Pse duhet që Shqipëria të lidhë strategjinë e saj evropiane me një shtet që nuk pranon realitetin e Kosovës dhe që në shumë raste ndjek politikat e kundërta me vlerat e BE-së, me një shtet që ka probleme serioze me demokracinë, mediat dhe sundimin e ligjit, madje në harmoni me politikat e Rusisë? Dhe mbi të gjitha, kërcënon fqinjët e vet, Kosovën sidomos edhe me aksione terroriste (sulmi mbi ujësjellësin Ibër-Lepenc) dhe me aksione paraushtarake me tentim të shkëputjes veriut të Kosovës në Banjë.
Integrimi i Shqipërisë në BE është konceptuar dhe duhet të jetë, një proces individual dhe i bazuar në merita, jo një projekt politik i përbashkët me Serbinë.
Ideja e “anëtarësimit të dorës së dytë”
Në thelb, ideja e “anëtarësimit të dorës së dytë” do të thotë që vendet e Ballkanit do të pranoheshin në BE si anëtarë të kategorisë së dytë, edhe pse këtë, askush nuk e kërkon nga ata. Për më shumë, edhe vet Komisioni Evropian ka theksuar se traktatet e BE-së nuk parashikojnë një anëtarësim të dorës së dytë. Nëse Shqipëria ka pritur kaq gjatë për anëtarësim, nuk ka asnjë arsye të pranojë një status inferior.
Integrimi në BE nuk është vetëm ekonomi
Argumenti kryesor i Ramës dhe Vuçiçit është pragmatik: tregu i përbashkët dhe lëvizja e lirë janë më të rëndësishme sesa vetoja.
Por Bashkimi Evropian nuk është vetëm një projekt ekonomik.
Ai është një projekt politik dhe i vlerave: demokraci, shtet ligjor dhe barazi mes shteteve dhe popujve.
Nëse një vend pranon të hyjë pa të drejta të plota, ai në thelb pranon se nuk ka vlerë të njëjtë me popuj tjerë, se nuk ka nivel të njëjtë dhe as peshë politike në vendimmarrje, madje pranon vullnetarisht ta shkel dinjitetin e vet!
Përfundim – pyetje
Pyetja është, pse këto dy shtete, respektivisht tandemi Rama-Vuçiq, po vet propozohen për status vet nënçmues?
Duke i njohur këta dy autokrat, të dy në mandatin e vet të katërt, njëri në pushtet nga viti 2013, tjetri nga viti 2014 nuk është edhe aq vështirë ta gjejmë përgjigjen. Ata nuk janë të gatshëm ti plotësojnë të gjitha “detyrat e shtëpisë” që ua ka shtrua BE por duan të hynë në BE, çoftë edhe me të drejta të cunguara. Me pazare, siç janë mësuar në vendet e tyre. Ju neve na bëni lëshime ne autoritarizmin tonë, në mos zbatimin konsekuent të ligjit, në zgjedhje të pandershme dhe në disa imtësi tjera që juve nuk ju prishin punë, kurse ne do heqim dorë nga disa të drejta që na takojnë si anëtarë të barabartë me të tjerët.
Shqipëria duhet të kërkojë anëtarësim të plotë dhe të barabartë, bazuar në meritë dhe reforma – jo një kompromis politik që e vendos vendin në një kategori më të ulët, vet nënçmues.
Shqipëria duhet të kërkon pranimin e Kosovës shtet nga Serbia dhe pastaj të hynë në aranzhmane eventuale me Serbinë. Përndryshe çfarëdo aranzhmani me Serbinë i këtij lloji, është thikë pas shpine për Kosovën dhe kombin shqiptar.