Shqipëria, gjithmonë e më shumë po bëhet pjesë pjesë e UEFA-s. Duke kujtuar se në shkurt të këtij viti, presidenti i Federatës shqiptare të Futbollit, Armand Duka u zgjodh anëtar i Komitetit Ekzekutiv të qeverisë europiane të futbollit, UEFA nuk është ndalur me kaq.
Në riformatimin e komisioneve të ndryshme, që UEFA ka vendosur të bëjë për një afat kohor 2019-2023, FSHF është e përfaqësuar në 8 komisione të ndryshme nga disa anëtarë me poste të rëndësishme, transmeton dita.
Në komisionin “Hat Trik”, presidenti i FSHF-së Armand Duka është zgjedhur nënkryetar. Gjithashtu, postin e nënkryetarit, presidenti i futbollit shqiptar e mban edhe në komisionin e Stadiumeve dhe të Sigurisë.
Në komisionin Juridik është zgjedhur Artan Hajdari, anëtar i Komiteti Ekzekutiv në FSHF. Në tjetër anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Arben Dervishaj, gjithashtu përgjegjës për investimet në infrastrukturë në futbollin shqiptar është zgjedhur anëtar i Panelit të Ndërtimit dhe Menaxhimit të Stadiumeve.
Në komisionin e Medias, anëtar është zgjedhur Gazmend Malo, shef i zyrës së Marketingut në FSHF, ndërkohë që presidenti i ri i Ligës, Edvin Libohova është zgjedhur anëtar në komitetin e Përgjegjësisë Sociale dhe Fair Play.
Anëtar në panelin e Konventës së Arbitrimit është zgjedhur shefi i sektorit të Gjykimit pranë FSHF-së, Sokol Jareci, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Federatës shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku është përzgjedhur si anëtar në komitetin e Futbollit.
Gjithashtu Aldi Topçiu, shefi i zyrës Juridike të FSHF-së, mban statusin e oficerit të Integritetit, pjesë e grupeve të punës së UEFA-s për ndeshjet e dyshuara për trukime.