Pas acarimit të situatës në Lindjen e Mesme, Ministri në Detyrë Gent Cakaj deklaroi se Shqipëria ka shpallur non grata dy diplomatë të lartë dhe i ka kërkuar të largohen nga vendi.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në Facebook, ndërsa sugjeroi se dy personat kanë kryer në Shqipëri aktivitet “në mospërputhje me statusin e tyre”, duke sugjeruar në këtë mënyrë aktivitet spiunazhi.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka vendosur sot, që përfaqësuesit diplomatikë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri, Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast, të shpallen persona të padëshirueshëm, për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike,” deklaroi Cakaj.
“Dy përfaqësuesve të Republikës Islamike të Iranit ju është kërkuar largimi i menjëhershëm nga territori i Republikës së Shqipërisë,” ka shkruar Cakaj.