Shqipëria, pos parave kërkon edhe punëtorë nga vendet e huaja

Prishtinë | 18 Shk 2020 | 17:36 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shpejt pritet të dal edhe me një kërkesë për vendet e huaja sa i përket fazës së rindërtimit të vendit pas dëmeve që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit.

Shqipërisë, të hënën në konferencën e donatorëve në Bruksel, iu premtuan 1.15 miliardë euro, por sipas Ramës, tash vendit i duhet edhe fuqia punëtore, bën të ditur TCH.

Rama të martën vizitoi një pallat që po rindërtohet në Durrës dhe aty hasi në ankesën për mungesë punëtorësh, transmeton Koha.net.

“Ky është problemi kryesor, s’e keni vetëm ju, por e gjithë Shqipëria. Duam punë, duam punë, por kur vjen puna për punë, jo të gjithë vijnë. Megjithatë ne kemi kaluar ligjin për të lehtësuar sjelljen e punëtorëve nga jashtë. Sado absurde që duket po ky është fakt. Këtu te ne ankohen të gjithë për punë nga kulltuku në kafene”, shprehet kryeministri.

Pos punëtorëve të huaj të cilët do vijnë nga jashtë, kryeministri kërkoi edhe angazhimin e punonjësve të ndërmarrjeve të Bashkisë.

Mungesën e dëshirës për të punuar në ndërtim, Rama e evidentoi edhe ‘live’ kur pyeti disa të rinj në rrugë, por mori përgjigjen nga ta se kanë kryer shkollën.

Në Durrës po vijon faza e parë e rindërtimit, ku brenda muajit mars priten te restaurohen 1.859 apartamente.

Sipas planit të qeverisë, i gjithë rindërtimi pritet të kryhet për një vit.

Të ngjashme