Shqipëria s’do të jetë pjesë në darkën informale të Athinës, e konfirmon Presidenca

Prishtinë | 18 Gus 2023 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, në 21 gusht do të mirëpresë në një darkë informale liderët e rajonit, ku do të diskutohet për të ardhmen evropiane të Ballkanit, por nuk ka ftuar kryeministrin shqiptar Edi Rama. Mitsotakis k ftuar presidentin Bajram Begaj, por ky i fundit nuk do të marrë pjesë në takim.

Në përgjigjen për Euronews Albania, presidenca bën me dije se Shqipëria s’do të jetë pjesëmarrëse në këtë darkë për shkak të agjendës.

“Në përgjigje të interesit tuaj ju bëjmë me dije, se më 14 gusht 2023, Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i ka derguar një ftesë Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, për të marrë pjesë në një darkë informale, më 21 gusht 2023, në Athinë

Një ditë më pas, më 15 gusht 2023, Presidenti Begaj në përgjigjen e dërguar, pasi vlerësoi vëmendjen që Kryeministri grek Mitsotakis i kushton zhvillimeve të lidhura me sigurinë e Evropës, shprehu gjithashtu keqardhjen për pamundësinë e pjesëmarrjes për shkak të një agjende të përcaktuar më herët”- u përgjigj presidenca.

Sipas gazetës greke “Protothema”, në Athinë do të jenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevksi. Të pranishëm do të jenë edhe liderët e shteteve të rajonit që janë anëtarë të Bashkimit Evropian.

Në këtë darkë ku do të jetë edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel do të diskutohet për të ardhmen evropiane të Ballkanit. Duke ftuar presidentin, pala greke ka shmangur Ramën. Ky qëndrim vjen në një kohë kur marrëdhëniet ndërmjet Tiranës dhe Athinës janë tensionuar për shkak të arrestimit të kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës, Fredi Beleri.

Të ngjashme