Sportistët që kanë arritur rezultate të larta në aktivitete kombëtare apo ndërkombëtare do të përfitojnë edhe shpërblime më të mëdha.
Këshilli i Ministrave vendosi dje kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe përfitimin e trajtimit për përgatitjen sportive të sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë, transmeton ATSH.
Gjithsej janë përcaktuar 7 kategori sportistësh, që do të vlerësohen në rast të rezultateve të spikatura apo medaljeve.
a) sportisti, i cili thyen rekord olimpik;
b) sportisti, i cili thyen rekord botëror;
c) sportisti, i cili thyen rekord europian;
ç) vendi i parë deri në vendin e tetë në Lojërat Olimpike;
d) vendi i parë deri në vendin e gjashtë në kampionate botërore;
dh) vendi i parë deri në vendin e tretë në kampionate europiane;
e) vendi i parë në Lojërat Mesdhetare.
Sportistët që kanë arritur rezultate të larta në aktivitete kombëtare apo ndërkombëtare, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, konsiderohen sportistë të nivelit të lartë dhe gëzojnë status e trajtim të veçantë, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
Ndërsa në veprimtarinë kombëtare, kriteret për përcaktimin e nivelit të lartë sportiv në veprimtaritë kombëtare janë rezultatet e arritura, si më poshtë vijon:
a) Sportisti, i cili thyen rekordin kombëtar;
b) Vendi i parë në kampionatin kombëtar.