Izraeli i ka shkaktuar një humbje të rëndë në “Elbasan Arena” Shqipërisë me rezultatin 0-3, ku arbitri gjerman Aytekin është bërë protagonist absolut i ndeshjes, me akordimin e dy penalltive dhe dy kartonëve të kuq, në dëm të skuadrës sonë përfaqësuese.
Ishim duke zhvilluar minuta të mira, madje kishim rrezikuar me Balajn, kur sulmuesi i Izraelit Zahavi u shkëput në kundërsulm në minutën e 18 dhe në tentativë për ta ndaluar, Gjimshiti shkakton faull brenda zonës dhe kryesori i ndeshjes e ndëshkon mbrojtësin tonë me të kuq, ndërsa akordon 11-metërsh. Zahavi ekzekuton saktë dhe kalon Izraelin në avantazh.
Megjithëse me një lojtar më pak, kombëtarja kuqezi arriti të gjejë forca duke reaguar, por goli nuk erdhi.
Ishte minuta e 55, kur sërish kryesori gjerman i takimit bëhet sërish protagonist. Pas një nxehje gjakrash mes portirit Berisha dhe sulmuesit Zahavi, Arbitri ndëshkon me kartonin e kuq portierin tonë dhe akordon sërish 11-metërsh. Por Alban Hoxha, i sapo futur, arrin të presë penalltinë e goditur nga Zahavi.
Megjithatë përveç arbitrit kundër Shqipërisë në këtë ndeshje duket se ishte dhe fati. Pasi në minutën e 66 izraelitët dyfishojnë me një gol mjaft me fat, pasi topi i grushtuar nga Hoxha përplaset në këmbët e njërit prej lojtarëve kundërshtar dhe përfundon në rrjetën tonë.
Në minutën e 84, Atar shënoi edhe golin e tretë për Izraelin duke e vulosur rezultatin në 0-3.