Turizmi ka vijuar të ruajë tendencën e rritjes të këtij viti në Shqipëri dhe shifrat zyrtare të lëvizjes së shtetasve tregojnë se objektivi 10 milionë vizitorë është shumë afër realizimit.
Sipas Institutit të Statistikave, deri në tetor, numri total i të huajve që kanë hyrë në Shqipëri ishte 8.98 milionë.
Vetëm në tetor, numri i të huajve ishte mbi 691 mijë apo 89.4 për qind më shumë.
“Në tetor 2023, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 564,874. Ky numër është rritur me 45,2%, krahasuar me tetor 2022. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 691,680.
Ky numër është rritur me 89,4%, krahasuar me tetor 2023. Gjatë dhjetëmujorit 2023, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 8.986.280. Ky numër është rritur me 32.3 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022” thuhet në përmbledhjen e INSTAT.
Sipas publikimit hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Tetor 2023, janë 1.256.554. Ky tregues rezulton me një rritje 66.6 për qind, krahasuar me tetor 2022. Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Tetor 2023, janë 1.201.897, duke shënuar një rritje me 60,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në Tetor 2023 rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Europës me 660.057 shtetas pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore/Paqësori, përkatësisht me 16,495 dhe 8,355 shtetas.
Sipas INSTAT, transmeton Telegrafi, në Tetor 2023, krahasuar me Tetor 2022, hyrjet e shtetasve të huaj shënojnë: rritje, për qëllime personale me 91,3%; rritje, për qëllime pushime, vizitë tek të afërm etj. me 93,4%; rënie, për biznes dhe qëllime profesionale me 10,3.
Daljet e shtetasve
Në tetor nuk kanë qenë vetëm të huajt që kanë udhëtuar drejt Shqipërisë. Duket se dhe shtetasit shqiptarë që kanë dalë jashtë territorit kanë qenë në rritje të ndjeshme prej 41.7%.
“Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Tetor 2023 janë 557.152. Krahasuar me Tetor 2022, ky tregues është rritur me 41,7%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Tetor 2023, janë 644.745. Krahasuar me Tetor 2022, ky tregues është rritur me 81,1%.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë dhjetëmujorit 2023, është 5.748.99, duke u rritur me 20,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, thuhet në publikimin e INSTAT.