Shqiponja është kampione e Kosovës në hendboll për femra. Skuadra nga Gjakova ka fituar titullin e parë që prej themelimit, në vitin 2000.
Titulli në Superligën e Kosovës në hendboll për femra është vendosur të dielën mbrëma, në ndeshjen e fundit të edicionit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në të vërtetë ishte ndeshja mes Vushtrrisë dhe Shqiponjës që vendoste për titull. Vushtrria ishte në epërsi prej dy pikëve dhe barazimi para shikuesve të vet i mjaftonte për të fituar titullin.
Salla në Vushtrri ishte e mbushur me afro 1500 shikues, që ofruan përkrahje të madhe për skuadrën vendëse. Por hendbollistet e skuadrës nga Gjakova ishin në epërsi të lehtë thuajse gjatë tërë ndeshjes dhe ia dolën të fitojnë sfidën “finale” me shifrat 21:19.