Pagat më të ulëta në Europë e rajon, rendja drejt emigrimit dhe të ardhurat që marrin nga të afërmit jashtë, duket se i mbajnë shqiptarët me dëshirë jashtë tregut të punës.
Më shumë se 31 popullsisë në moshë pune (15-64 vjeç) nuk ishte ekonomikisht aktive gjatë vitit 2018, çka do të thotë se kjo kategori nuk është në kërkim të një pune. Më të dekurajuar janë meshkujt.
Sipas INSTAT, struktura e popullsisë jashtë forcave të punës është e dominuar nga nxënësit/studentët, 38,7 %. Në këtë grup-moshë, pjesa që zënë personat e papunë të cilët nuk po kërkojnë punë për arsye se besojnë se nuk ka punë të disponueshme është 8,7 %.
Siç shihet nga grafiku i mëposhtëm, nga popullsia në moshë pune, gati 12 për qind e popullsisë joaktive në tregun janë pension të parakohshëm, ndërsa 10 për qind janë në paaftësi të përhershme për të përballuar një punë, ndërsa 10 për qind tjetër janë larguar nga tregu i punës për arsye të shumëfishta.
Ndër popullsinë e grave të moshës 15-64 vjeç ekonomikisht jo aktive 30,8 % e tyre janë duke përmbushur detyrat shtëpiake, ndërsa tek burrat e kësaj kategorie kjo përqindje është 1,6 %.
Vitet e fundit popullsia në moshe punë ka rritur angazhimin për marrë pjesë në forcën e punës, por sërish përqindja jashtë tregut të punës është e lartë në raport me vendet e zhvilluara.
Në vitin 2018, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç as në punësim e as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 28,6 % të të rinjve gjithsej. Në këtë grup, 36,6 % e të rinjve janë të papunë. Pjesa tjetër janë jashtë tregut të punës për arsye se janë të dekurajuar (11,7 %), duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (22,0 %) ose për arsye të tjera (29,6 %).
Një punonjës në moshë pune (15-65 vjeç) në Shqipëri dhe në Ballkan harxhon në dembelizëm të plotë 20-30 vite të jetës së tij. Përllogaritjen e ka bërë Banka Botërore në Raportin e rregullt Ekonomik për Rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në Rajonet e tjera ky tregues është më i ulët.
Vitet e fundit pjesa e njerëzve që nuk dëshirojnë të punojnë ka rënë, por gjithsesi mbetet shumë e lartë. Madje në disa vende të Ballkanit të tilla si Kosova, papunësia raportohet në rënie pikërisht për shkak se njerëzit nuk duan të punojnë dhe për rrjedhojë as nuk raportohen si të papunë.
Por nga ana tjetër tregjet e punës në Ballkan përballen me mungesa. Kosova dhe Serbia kanë raportuan mungesa në sektorin e IT-së, ndërsa në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoninë Veriore ka mungesë mjekësh.