Shqiptarët dhe pop kultura

Prishtinë | 14 Tet 2023 | 22:36 | Nga Armend Bekaj

Ndoshta se në Shqipëri ishim të izoluar gjatë e nuk dinin gjë për ne, apo ndoshta se në Jugosllavi ishim kryesisht të pavërejtshëm dhe na përzienin me termin përgjithësues ”jugosllav”, mirëpo neve shqiptarëve sot na kapë një ndjenjë krenarie sa herë që na përmendin në pop kulturën botërore. Edhe kur portretizohemi si mos më keq – në film apo edhe libër – duhet ta pranojmë se pak na shkon buza në gaz! Ndjehemi falendërues që na përmendën.

Më 1997 ishte filmi ”Wag the Dog” me aktorë të mëdhenj si De Niro e Dustin Hoffman. Aty përmendet Shqipëria si vendi ku do të inskenohej një sulm terrorist kundër Amerikës – skenar ky në mes Washingtonit dhe Hollywoodit për të larguar vëmendjen nga skandalet e Shtëpisë së Bardhë. ”Albania? Where is Albania?” Iu duhet pak kohë derisa ta gjejnë këtë shtet. Sidoqoftë, thuhet (nuk e di a është e vërtetë) se Presidenti i atëhershëm Berisha u shkroi letër (Hollywoodit? Washingtonit?) që t’i falendërojë për përmendjen.

Pastaj vjen seria e filmave ”Taken” me Liam Neeson. Siç e dimë, aty shqiptarët nuk portretizohen bash edhe si nobelistë. “Marko from Tropoja” është sinonim i grupeve mafioze shqiptare që bëjnë terror anekënd Evropës. Mirëpo, ja, ne jemi goxha krenar që zëmë vend prominent në këtë film të famshëm.

Një film gjerman “Buba” përshkruan me tone disi komike grupin mafioz të shqiptarëve në Gjermani që qëndrojnë si superfuqi mbi të gjitha grupet tjera, përfshirë edhe ato gjermane. Epo tash, nuk është lehtë të jesh i pari! Falendërues.

Javën e kaluar e shikova një film britanik që quhet “Page Eight” në Netflix. Derisa në një skenë flasin për identitetin dhe krenarinë kombëtare, kështu thotë një protagoniste: “I don’t think Benedict gave a damn about England, except as some version of paradise. Imaginary, like all paradise. I’m sure it’s what Belgians feel about Belgium… And the frigging Albanians!” këlthet ajo në dëshpërim. Dmth kjo puna e krenarisë kombëtare – gjithkush e posedon, sipas filmit. Madje edhe shqiptarët e mallkuar (nënteksti këtu është i qartë). Sidoqoftë, falemnderit që na përmendet, edhe këtu!

Në librat për fëmijë “Harry Potter” del që edhe vetë nemesisi i Harryt, kryemagjistari i lig Lord Voldemort, fshehet në malet e Shqipërisë! Kjo, për fëmijë shqiptarë që e lexojnë Harry Potter është pa dyshim burim i veçantë krenarie. Ani çka se asociimi i Shqipërisë me librin është Voldemort.

Në librin historik “Salonica, City of Ghosts”, autori Mark Mazower përshkruan se si grupet më të çarta, më të panënshtrueshme, më rebele në Selanikun e fundshekullit XIX ishin shqiptarët. (Një kapitull aty titullohet “Mbi murtajën dhe shqiptarët”. Dmth një kategori!) Për administratën otomane këto grupe shqiptarësh ishin tmerri vetë. Që i thonë fjalës, mos të zatetë Zoti me ta. E mbaj mend, derisa lexoja këto fjali, buza pa dashje me shkonte në gaz ngapak.

A kemi tjerë që na “nderojnë” kështu?!

Të ngjashme