SHSKUK-ja lehtëson shërbimet për të mbijetuarat nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë

Prishtinë | 18 Qer 2019 | 12:42 | Nga Ekonomia Online

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) dhe Shoqata Medica nga Gjakova kanë nënshkruar sot Marrëveshje bashkëpunimi, për lehtësimin e ofrimit të shërbimeve  mjekësore për kategoritë e personave, të cilët janë të mbijetuar nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë, si për ndikimin mbi politikat sociale në mbështetje të mirëqenies së grave dhe integrimit  të tyre në të gjitha fushat jetësore.

Marrëveshjen e kanë nënshkruar drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu, dhe      drejtoresha ekzekutive e Medica Gjakova, znj. Mirlinda Sada.

Qëllimi i përgjithshëm i marrëveshjes është zbatimi i projektit “Përmirësimi i shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor  tek gratë dhe vajzat me trauma  të mbijetuara të dhunës në baza gjinore dhe të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në  Kosovë”.

Projekti synon forcimin e kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve  shëndetësore  publike për këtë kategori. Zbatimi do të fillojë në dy komuna, në atë të  Gjakovës dhe Prizrenit.

Kjo marrëveshje lidhet për një periudhë dy vjeçare, me mundësi vazhdimi dhe hyn në fuqi me datën e nënshkrimit të saj nga të dyja palët.

Të ngjashme