Artistët, të përkrahur edhe nga mijëra qytetarë, janë bërë bashkë për të kërkuar ndërtimin e teatrit të operës dhe baletit në Prishtinë, shkruan sot Koha Ditore.
Një peticion i nënshkruar nga 7 mijë qytetarë, bashkë me kërkesën për ndërtimin e këtij objekti, i është dorëzuar të premten Zyrës së kryeministrit Ramush Haradinaj, asaj të ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, dhe kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Dorëzimin e ka bërë Ajmone Dhomi, libretistja e parë shqiptare në Kosovë, e cila e ka iniciuar peticionin. Paraprakisht para Teatrit Kombëtar të Kosovës ajo ka thënë se i tërë spektri i komunitetit artistik, kosovar dhe më gjerë, në veçanti anëtarët e Filarmonisë dhe Operës së Kosovës dhe Baletit të Kosovës veprojnë në kushte sa për të mbijetuar. Anëtarët e këtyre institucioneve e edhe artdashësit, sipas Dhomit, janë në pritje të stërzgjatur të ndërtimit të këtij objekti me interes të veçantë kombëtar dhe shtetëror.