Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë debatuar për më shumë se shtatë orë, të mërkurën, për 100 ditët e para të Qeverisë Haradinaj, e cila ishte votuar më 9 shtator të vitit të kaluar.
Debati ishte thirrur prej 20 dhjetorit 2017 nga LDK-ja për 100 ditshin e qeverisë, e për t’u futur në rend dite në Kuvend janë dashur tre muaj.
Në mbrëmje, pas përfundimit të dhjetëra fjalimeve, në sallë nuk ka pasur kuorum dhe nuk është votuar ndonjë rekomandim për Qeverinë.
Debati më i madh është bërë mes mazhorancës aktuale dhe LDK-së për mosformimin e ushtrisë së Kosovës.
Shefi i grupit të deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se qeveria e re, në krye me Haradinajn, u bë për të marrë vendime të mëdha, siç janë demarkacioni e ushtria, e asnjëra nga to nuk arritën të bëhen realitet, prandaj vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
Por, kryeministri Haradinaj tha se LDK-ja e ka lënë Kosovën pa ushtri. Ai iu drejtua deputetit Arben Gashi me “mos rrej”; për çka kërkoi falje më vonë.
Më herët, vetë kryeministri tha se ende nuk i kanë votat për demarkacionin.
Kryeministri nuk qëndroi në sallë për të dëgjuar gjithë debatin. Mes tjerash Milam Zeka i Nismës (parti në koalicion qeveritar) ka kërkuar publikimin e çdo centi të shpenzuar nga qeveria.
Ndërkohë, më herët, në seancë nuk arritën të kalonin rekomandimet e opozitës, që kërkonin anulimin e vendimit për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar.