Së paku shtatë persona janë vrarë dhe rreth 150 të tjerë janë lënduar gjatë përleshjeve mes grupeve rivale të protestuesve në kryeqytetin e Indisë, New Delhi.
“Shtatë persona, përfshirë një polic, kanë vdekur”, tha Anil Mittal, zyrtar policor në kryeqytetin indian, duke shtuar se rreth 150 persona janë lënduar në dhunën e së hënës.
Përleshjet shpërthyen në pjesën verilindore të qytetit mes mijëra personave që po protestonin për dhe kundër ligjit të ri të shtetësisë. Policia përdori gaz lotsjellës, por e pati të vështirë që t’i shpërndante turmat e protestuesve që sulmonin me gurë dhe ua vinin flakën veturave.
Në disa pjesë të qytetit, tensionet mbetën të larta edhe të martën. Autoritetet morën vendim për mbylljen e shkollave pas raportimeve për përleshje të reja. Së paku pesë stacione të metros gjithashtu u mbyllën, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Dhuna në Indi shpërtheu pikërisht në kohën kur këtë shtet po e viziton për herë të parë në mënyrë zyrtare presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Ligji i ri për shtetësinë ka nxitur pakënaqësi dhe protesta edhe në muajt e kaluar për shkak të diskriminimit që ia bën pakicës myslimane.