100 biçikleta elektrike pritet të jenë në qarkullim nëpër rrugët e Prishtinës, të stacionuara në dhjetë vende përgjatë qytetit, raporton Ekonomia Online.
Ato do të mund të përdoren nga qytetarët që nga shtatori. Çmimi i shfrytëzimit të tyre do të jetë 50 cent për çdo orë vozitjeje, ndërsa fillimisht qytetarët duhet ta paguajnë abonimin prej pesë eurosh.
Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Donat Lushaku, ka thënë se projekti “Prishtina Bikes” është në fazën përfundimtare të përgatitjeve. Ai ka bërë të ditur për EO se 95 për qind e stacioneve kanë përfunduar, ndërsa ka mbetur edhe testimi final i pjesës digjitale të biçikletave.
Tutje, Lushaku ka thënë se biçikletat janë prodhim holandez dhe kanë kushtuar rreth 200 mijë euro.
“Biçikletat veç i kemi të gatshme. Ato janë në objektin e Komunës së re në Arbëri. Në stok janë 100 të tilla dhe për këto 100 biçikleta kemi paraparë 10 vend-stacione. 95 për qind e vend-stacioneve kanë përfunduar, kanë mbetur edhe një apo dy për t’u instaluar dhe për të përfunduar krejt këto. Ndërsa vendosja e biçikletave do të bëhet pasi testimit final të pjesës digjitale të përdorimit dhe funksionimit të tyre, e cila pothuajse ka përfunduar dhe fillimi i shtatorit na gjen me biçikleta të cilat mund të përdoren nga qytetarët”.
“Kryesisht ato janë prodhim holandez. Kanë kushtuar diku mbi 200 mijë euro dhe po shpresojmë shumë që do të përdoren nga qytetarët me idenë që pastaj të jetë mjet alternativ i komunikacionit dhe ta shpeshtojmë edhe në vitet e tjera”, ka thënë ai.
Zëdhënësi i Komunës ka thënë se për përdorimin e këtyre biçikletave, qytetarët duhet të abonohen përmes aplikacionit fillimisht dhe pastaj çdo orë shfrytëzim i biçikletës paguhet 0,50 cent.
“Do të ketë një aplikacion nga i cili do të bëhet një abonim që kushton 5 euro fillimisht, dhe çdo orë që shfrytëzohet biçikleta do të kushtojë 0,50 cent. Është minimumi i çmimit, është diskutuar një çmim më i larët më herët por kemi vendosur që fillimisht të shkojmë me këtë çmim. Biçikletën mund ta marrim tek stacioni që është te objekti i vjetër i Komunës dhe mund të përfundohet të themi një cikël apo për nevojat e qytetarëve vendoset të shkohet nga komuna deri tek rruga B dhe aty mund të vendoset te stacioni në stacionin tjetër për t’i kryer qytetarët obligimet e veta në mënyrë më alternative e sigurisht me ekonomike dhe ambientale”.
“Do të ketë një abonim që është fillestar prej 5 euro, të cilën obligohen të gjithë ta bëjnë. Secila orë që shfrytëzohet nga 0,50 cent. Mund të shfrytëzohen realisht 10 orë dhe pastaj nuk ka nevojë të jetë abonim i tillë vetëm se për secilën orë duhet të paguajë 0,50 cent”, ka thënë ai për EO.
E disa biçikleta, tashmë janë vendosur para Komunës së Prishtinës, të cilët do të jenë në dispozicion të qytetarëve. Por, Halit Islami nga Prishtina, u shpreh i pakënaqur me këtë projekt, pasi Kryeqyteti nuk ka rrugë të destinuara për biçiklistë.
“Ky vendim nuk është i mirë sepse komuna e ka vetëm për kureshtjen e vet, kjo është në dëm të qytetarëve. Me paguar qytetarët me shkua rrugëve është në rrezik i bie ndonjë njeriut, këmbësorëve. Po i bien edhe nga sheshi që është e ndaluar rreptësishtë me lëviz, kjo nuk është ide e mirë. E ngarkon komunikacionin por edhe na ngarkon edhe neve qytetarëve që ecim rrethit trotuarit. Ky vendim nuk është i mirë sepse i pengon qytetarëve drejtpërdrejtë edhe nuk ka nevojë me marrë komuna biçikleta para me rrezikuar popullin. Unë nuk e kisha provuar asnjëherë sepse edhe e rrezikojë vetën por edhe të qytetarëve”, u shpreh ai.