Situata në veri ka filluar të shtensionohet, pas marrëveshjes për de-eskalim që u arrit në Bratisllavë të Sllovakisë mes Kosovës dhe përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Për situatën në veri, sot ka shkruar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili gjendet në Greqi, ku mbajti një fjalim në seminarin “Symi”.
Në një cicërimë në Twitter, z. Kurti deklaroi se rruga për zgjedhje të parakohshme në veri tashmë është hapur. Tutje, shefi i ekzekutivit njoftoi se 25 për qind e policëve në tri
objektet komunale në veri janë larguar, ashtu siç edhe parashihej në marrëveshjen e Bratisllavës. Pra tashmë operacionalisht është përmbushur kriteri i largimit gradual të policëve në dhe rreth objekteve komunale, që ishte kërkesë e faktorit ndërkombëtar.
“Deri javën e kaluar, ne kemi reduktuar praninë e Policisë së Kosovës për 25 për qind në tri ndërtesat komunale veriore. Tash po shtrojmë rrugën për zgjedhje të parakohshme. Kosova tashmë po e zbaton në mirëbesim marrëveshjen me BE-në mbi shtensionimin e arritur në Bratisllavë ” – shkroi Kurti.