Ambasadori i SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, do të marrë përsipër edhe detyrën e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan, Donald Trump, në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë.
Të enjten mbrëma Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se presidenti Trump ka synim që Grenell të shërbejë njëkohësisht si ambasador në Berlin dhe si “i dërguar presidencial për bisedimet paqësore Serbi-Kosovë”.
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë përmes një komunikate për media, duke konfirmuar emërimin e Richard Grenellit për të dërguar special të presidentit Trump për dialogun Serbi-Kosovë, vlerëson se Trumpi kështu shprehu qëllimin për ta emëruar një individ në post kyç, në Administratën e tij, shkruan sot Koha Ditore.
“Richard Grenell nga California do të shërbejë njëkohësisht si i dërguar special presidencial për negociatat paqësore të Serbisë dhe Kosovës, dhe si ambasador i jashtëzakonshëm dhe i plotfuqishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën Federale të Gjermanisë”, thotë komunikata e Ambasadës. Aty tregohet më tej se Grenell ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Gjermani që nga 8 maji i vitit 2018, dhe se ai është i njohur si shkrimtar dhe komentues i politikës së jashtme, dhe themelues i firmës ndërkombëtare konsultuese “Capitol Media Partners” në vitin 2010.
“Për gati dy dekada ai ka shërbyer si këshilltar kryesor për komunikime për zyrtarët publikë në nivelin federal, shtetëror, lokal dhe ndërkombëtar, si dhe për kompani të ranguara në ‘Fortune 200’. Z. Grenell është personi që ka shërbyer më së gjati si zëdhënës i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara (2001 – 2008), dhe gjatë kësaj kohe ai ka punuar për katër ambasadorë. Ai ka diplomuar në Evangel University dhe ka magjistruar në fushën e administratës publike në Fakultetin e Qeverisë John F. Kennedy të Universitetit të Harvardit”, thuhet në komunikatën e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Emërimi i ri është përcjellë me reagime pozitive në Prishtinë.