E largët si qyteza në para-alpet sllovene ku lindi 47 vjet më parë, e trishtë si makinëzat Yugo që shiste i ati, Melania Knavs Trump është ekzaktësisht e kundërta e bashkëshortit president. Aq sa ai është i zhurmshëm, ajo është e heshtur. Aq sa ai është i dukshëm, ajo është e padukshme. Aq sa ai shfaq vetëkënaqësi prepotente, ajo transmeton palumturi.
E para Zonjë e Parë e lindur jashtë Amerikës, në historinë e Shteteve të Bashkuara, duket se është ende një e huaj. Një “Modele Izolimi”, më shumë si fantazmë se sa prej mishi e kockash, pikërisht ajo, gruaja simbol i bukurisë dhe sharmit.
Palumturia e Melanias është tashmë argument i vazhdueshëm kurioziteti dhe thashethemesh për një publik amerikan, i cili e ka tashmë të vështirë të kuptojë edhe presidentin e vet, dhe do të donte që të paktën të njihte zonjën që mban detyrën joformale e në të njëjtën kohë shumë të ndjeshme, të Zonjës së Parë.
Thuhet, dhe shkruhet, se ajo nuk ndan më krevatin bashkëshortor me Donaldin, jo vetëm në Shtëpinë e Bardhë, ku presidentët dhe gratë flejnë gjithmonë në dhoma gjumi të ndara, por edhe në dupleksin në rrokaqiellin që mban edhe emrin e tij, Kulla Trump, apo edhe në supervilën në Florida, Mar-a-Lago. Zëdhënësi i saj i shtypit ka përgënjeshtruar, a thua këto nuk janë punë të sajat.
Daljet e saj në Manhatan janë shumë të rralla dhe bëhen vjedhurazi, thuhet nga frika mos ekspozon të birin vetëm dhjetë vjeç, Baron, përballë kuriozitetit të paparacëve, dhe irritimit të familjeve që i çojnë bijtë e tyre në po të njëjtën shkollë shumë private, “Columbia Academy”, dhe paguajnë 45 mijë dollarë në vit për privilegjin. Një prej grave më të pasura të botës, që banon mu në zemër të përqëndrimit më të madh të butikëve, magazinave të mëdha të luksit e bizhuterive, nuk mund t’i lejojë vetes as edhe kënaqësinë e “lëpirjes së vitrinave”, për ta thënë si francezët, gjë që e kanë të mundur edhe turistët me kosto të ulëta.
Ndoshta në qershorin e ardhshëm, kur Baroni të mbarojë shkollën fillore dhe kur Melania ka premtuar të transferohet më në fund në Shtëpinë e Bardhë, ajo dhe i shoqi do të fillojnë të projektojnë në ekran, të njëjtin shenjt të familjes së lumtur. Por është e drejtë të dyshosh se ajo, e zëvendësuar tashmë edhe nga Ivanka, bija e bashkëshortes së parë të burrit të saj, në funksione shtetërore me zyrë përballë të atit, ka fituar diçka në kalimin, nga një zonjë e pasur dhe e lirë, në kafazin formal të rezidencës zyrtare.
Kam parë në këto vite shumë Zonja të Para, të futura në çarkun e një roli që e kishin marrë, pa e kërkuar asnjëherë. Patricia NIxon, që vuante në heshtje, e dëndur me qetësues, për shkak të agonisë së gjatë politike të bashkëshortit. Betty Ford, që stresin e mbyste me alkool. Nancy reagan, që prapa autoritetit të fortë fshihte ndërgjegjen e parrëfyeshme të dobësimit mendor të burrit të saj. Por edhe Michelle Obama, me gjithë gjallërinë e saj, numëronte ditët që e ndanin nga çlirimi. Aq e ditur ishte vuajtja e saj, saqë Barack krijoi një barcaletë, të cilën e tregoi edhe publikisht: “Dje në mbrëmje, një person u përpoq të shembë kangjellat e Shtëpisë së Bardhë, por Shërbimi i Fshehtë e kapi dhe ma ktheu në shtëpi”.
Edhe ata që nuk kanë fare simpati për Donaldin, duhet të ndjejnë simpati për këtë grua të projektuar nga një qytezë e Sllovenisë, në rolin që dikur e kanë patur legjenda të paarritshme, si Jackie Kennedy. Dhe që do të donte të jetonte për të birin, fëmijën që vetëm në mars e ka parë shtëpinë ku do të jetojë katër vitet e ardhshme. Iu lejua të vrapojë për pak minuta në lëndinën e pasme të Shtëpisë së Bardhë, dhe më pas mamaja e mori me shpejtësi. Për ta çuar në shtëpi. Atë të vërtetën.