Presidenti Joe Biden nuk ka ndërmend të marrë pjesë në një samit të përbashkët me liderin rus, Vladimir Putin.
Ky është mesazhi i zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, pasi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken anuloi takimin me ministrin e jashtëm rus, Lavrov, i parashikuar të mbahej ditën e enjte.
“Diplomacia nuk mund të ketë sukses nëse Rusia nuk ndryshon qëndrim”, u shpreh Psaki duke shtuar si kusht për mbajtjen e këtij takimi mes dy liderëve uljen e tensioneve, që në fakt nënkupton tërheqjen e trupave ruse nga kufiri me Ukrainën.
Një ditë më parë, presidenti Biden shpalli sanksionet e reja ndaj Rusisë pas njohjes së pavarësisë së rajoneve në Donbas dhe vendimit të Dumës që lejoi dislokimin e trupave ruse jashtë territorit të vendit.