Shtëpia e Bardhë zyrtarisht ka refuzuar të bashkëpunojë lidhur me hetimin për shkarkim ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, të cilin po e zhvillon Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët.
Përmes një letre dërguar drejtuesve demokratë, Shtëpia e Bardhë e refuzoi hetimin si “të pabazë” dhe “jo vlefshëm nga ana kushtetuese”.
Tri komitete të Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequra nga demokratët po hetojnë presidentin Trump.
Hetimi është duke u përpjekur të zbulojë nëse presidenti ka tërhequr një ndihmë për Ukrainën në mënyrë që ta shtyjë autoritetet ukrainase të hetojnë Joe Biden, i cili po kandidon për nominimin presidencial të demokratëve.
Letra e Shtëpisë së Bardhë vjen disa orë pasi administrata e Trumpit e bllokoi dëshminë e ambasadorit amerikan në Bashkimin Evropian që të paraqitej para komiteteve të Dhomës së Përfaqësuesve.