Është mbajtur ceremonia e përfundimit të projektit të rikonstruktimit të serës në oborrin e Shtëpisë së të Moshuarve në Prishtinë. Ky projekt është realizuar nga Qendra për Shërbime Humane dhe Zhvillim përkrahur financiarisht nga Japan Tabacco International, raporton Ekonomia Online.
Raze Aliqakaj, drejtoreshë e Shtëpisë së të Moshuarve, është shprehur falënderuese për investime që janë bërë në Shtëpinë e Pleqve.
“Ne i falënderojmë Mimoza Shahinin që na ka mbështetur bashkë me organizatën JTI duke bërë rinovimin komplet të sallës së kuzhinës. Vitin e kaluar është bërë komplet renovimi i oborrit dhe ndriçimi ndërsa tani ky fundvit është rregullu komplet sera brenda edhe jashtë dhe mbulesa e saj”, tha Aliqkaj.
Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli tha se iniciativa për të ndihmuar të moshuarit është humane dhe njerëzore.
“Është kënaqësi e madhe që kam marrë pjesë në shumë përurime që janë bë si brenda ashtu dhe jashtë objektit. Përmes qendrës për shërbime humane dhe zhvillim investuam në rregullimin e Shtëpisë së Pleqve në Prishtinë, iniciativë e cila është sa humane aq edhe njerëzore. Është mirë dhe në interes të rezidentëve që ky institucion të ndihmohet edhe pse ka vijën e vet buxhetore nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, prapë ka nevojë të ndihmohet”, tha Veseli.
Doktoresha, Mimoza Shahini tha se investimi në moshën e tretë është investim në moralin që askush nuk është i përjashtuar.
“Jam shumë e lumtur që për vitin e tretë jam këtu dhe ndajmë së bashku disa veprimtari që janë bë këtu . Ne kemi qenë shumë me fat që në këtë rrugë të hasim në organizatën japoneze e cila me donacionet e saja ka bërë të mundur që disa aktivitete të realizohen. Këta njerëz që rrinë këtu nuk mund të jenë vetëm njerëz dhe të jetojnë në një shtëpi në të cilën vetëm hahet pihet dhe flihet, por këta njerëz duhet të inkurajohen të bëhen zotë të vetës. Ne nëse investojmë në moshën e tretë kemi investuar në moralin që askush nuk është i përjashtuar”, tha Shahini, raporton EO.
Përparim Tusha nga Japan Tabacco International tha se do të vazhdojnë përkrahjen për njerëzit që kanë nevojë.
“A ka më mirë të ndihmosh këta njerëz që gjatë gjithë jetës së tyre kanë kontribuar për këtë vend edhe ne përpiqemi të kontribuojmë në kësi drejtimesh në njerëz të cilët kanë më shumë nevojë. Jam i bindur se do të vazhdojmë edhe me gjëra të tjera që do të dalin në vazhdimësi për të përmirësuar sa më shumë jetën tuaj”, ka thënë Tusha.
Është viti i tretë që Qendra për Shërbime Humane dhe Zhvillim e përkrahur nga JTI ka kryer një sërë investimesh në krijimin e kushteve më të mira për banorët në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë.
Në fund të kësaj ngjarje u ndanë mirënjohje për ata që mundësuan përmirësimin e kushteve në Shtëpinë e Pleqve.