Brejtësit që depërtuan brenda shtëpisë kafshuan vajzën 6 muajshe të familjes Vitia nga Sllovia e Lipjanit. Por ky nuk është shqetësimi i vetëm i kësaj familje pasi brenda shtëpisë së tyre të dëmtuar thonë se pos tyre e insekteve, depërton edhe uji nga të reshurat.
Kjo pasi vendi ku jetojnë është në gjendje të mjerueshme, tash e disa vjet.
Kjo ka mërzitur anëtarët e familjes të cilët thonë se edhe për ushqim mezi po ia dalin pasi mbahen vetëm me 95 euro të ndihmës sociale.
Kryefamiljari tregon se me to mundohet t`i mbulojë shpenzimet e shtëpisë e më pas të mendojë për të ushqyer familjen.
Ankesa kanë edhe për gjendjen shëndetësore por që kjo para vështirësive të tjera për kryefamiljarin është lënë në harresë.
Andaj ai kërkon që kjo vuajtje t`i lehtësohet nga njerëzit vullnetmirë.
E duke e parë djalin e tij dhe pjesën tjetër të familjes duke u përballur me varfërinë edhe babai i tij kërkon ndihmë që t`u sigurohet një vendbanim ku do të ndjeheshin më të sigurt.
Ndihmë kishin kërkuar edhe nga komuna e Lipjanit por që deri më tani nuk u është gjetur zgjidhje. Familja Vitia janë në pritje që para stinës së dimrit dikush do t`u dalë në ndihmë pasi gjendja e shtëpisë çdo ditë po rëndohet.