Përfaqësues të shtëpive botuese po kërkojnë nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) që t’i respektojë “Ligjin për botimin e teksteve shkollore” dhe “Udhëzimin Administrativ për recensentët, vlerësimin dhe lejimin e teksteve shkollore e materialeve mësimore” që parashohin tekstet alternative në shkolla.
Sipas këtyre dokumenteve, mësimdhënësit duhet të kenë mundësi të zgjedhin librin që dëshirojnë ta përdorin. Përfaqësuesit e shtëpive botuese thonë se nëse në një tekst që është në përdorim evidentohen gabime, mësimdhënësit duhet të kenë mundësi të zgjedhin tekstin tjetër alternativ, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Recensentët mund të propozojnë një ose më tepër dorëshkrime për botim, duke siguruar burime alternative të informacionit dhe duke u ofruar shkollave mundësinë e zgjedhjes së lirë nga mësimdhënësit për tekstin që dëshirojnë ta përdorin”, thekson neni 9 i Udhëzimit për recensentët, vlerësimin dhe lejimin e teksteve shkollore e materialeve mësimore.
Në listën e teksteve fituese nga konkursi i fundit i MASHTI-t, Këshilli i Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore, (KEPTSH) në disa lëndë shkollore ka listuar edhe librat alternative.