Shiu i rrëmbyeshëm që përfshiu vendin të hënën, ka shkaktuar edhe dëme në bujqësi. Më e prekura ka mbetur komuna e Rahovecit.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi deklaroi se do të kërkojnë ndihmën e Qeverisë për kompensimin e këtyre dëmeve sapo të bëhet vlerësimi i tyre. Ai shtoi se si komunë nuk kanë asnjë fond emergjent i cili do të mund t’iu dilte në ndihmë atyre që janë dëmtuar.
E Qeverisë së Kosovës duket se nuk i kanë mbetur edhe aq shumë mjete në rezervat shtetërore që shërbejnë për raste të tilla. Kjo pasi të njëjtit e kanë shpenzuar këtë fond në mënyrë të pakontrolluar, shkruan lajmi.net.
Shuma e aprovuar për rezervat shtetërore për vitin 2019 ishte 4 milionë e 800 mijë euro.
Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini ka thënë për lajmi.net se deri më tani janë shpenzuar 4 milionë e 602 mijë euro.
“Ndarjet nga rezerva shtetërore me vendime të qeverisë deri më tani kapin vlerën 4,602,248.00 euro. Shpenzimi i tyre varet nga secila organizatë buxhetore, ku ndahet buxheti sipas vendimit të Qeverisë”, ka deklaruar Shahini.
Ai ka shtuar se shuma aktuale e këtij fondi (rezerva shtetërore) është 197,752.49 euro.
Vlen të theksohet se në bazë të ligjit, shpenzimet e paparashikuara apo rezervat shtetërore mund të shpenzohen vetëm në raste urgjente dhe të paparashikuara.
Qeveria e ka shkelur këtë ligj pasi asnjë nga mjetet e ndara deri më tani nga rezervat shtetërore nuk është përdorur për nevoja urgjente.
Rreth 500 mijë euro qeveria ndau për shënimin e 11 vjetorit të pavarësisë, përderisa këtu nuk kishte asgjë të paparashikueshme pasi shënimi i përvjetorëve të pavarësisë mbetet i njëjti.
Më pas qeveria ndau, 300 mijë euro për Delegacionin shtetëror të Kosovës për procesin e dialogut.
Nga i njëjti fond u ndanë 143 mijë euro mbështetje për ekipin olimpik të Xhudos “Ippon” në Pejë, 112 mijë euro për rregullimin e këndit të fëmijëve dhe Parkut të Paqes në Preshevë, 95 mijë euro për kompensimin për punët shtesë dhe jashtë orarit të punës të disa zyrtarëve shtetërorë, 42 mijë euro për implementimin e projektit kompakt të Zyrës për Sfidat e Mijëvjeçarit.,etj.