Qeveria spanjolle do t’ua ndajë nga 250 euro në muaj të rinjve me të ardhura të ulëta për t’u ndihmuar që të pavarësohen financiarisht në shtetin ku shumë të rritur të rinj jetojnë me prindërit e tyre, sepse nuk mund ta përballojnë qiranë.
Ministrja e Strehimit, Raquel Sanchez, tha në një konferencë për gazetarë pas takimit javor të kabinetit të martën se duke filluar nga ky muaj, spanjollët nën moshën 35-vjeçare dhe me të ardhura vjetore nën 24.318 euro mund të kërkojnë subvencionim mujor për ta paguar qiranë e banesës për dy vjet.
Subvencionimi “është një element i rëndësishëm në mënyrë që strehimi të mos jetë më pengesë e tillë për emancipimin e të rinjve”
Spanja ka një ndër shkallët më të larta të të rinjve që jetojnë me prindërit e tyre në Evropë. Sipas të dhënave, 55 për qind e personave të moshës 25 deri 29-vjeçare në Spanjë jetojnë me prindërit, 6.5 për qind më shumë se në vitin 2013, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
Ky numër përputhet fuqishëm me shkallën e lartë të papunësisë së të rinjve në Spanjë, ku 29 për qind e personave nën moshën 25-vjeçare janë të regjistruar si të papunë.