Letonia ka vendosur që t’i mbyllë shkollat, restorantet dhe qendrat e zbavitjeve për një muaj për shkak të rritjes së numrit të rasteve me Covid-19.
Agjencia “Reuters” raporton se është vendosur edhe ora policore gjatë natës, që do të jetë në fuqi të paktën deri më 15 nëntor.
“Letonia është numër një në botë për shkallën e infeksioneve”, tha para gazetarëve të hënën ministri leton i Shëndetësisë, Daniels Pavluts, pas një takimi urgjent të qeverisë.
Ai shtoi se masat izoluese do të lehtësohen vetëm për të vaksinuarit. Kryeministri Krisjanis Karins për këtë gjendje e fajësoi shkallën e ulët të vaksinimit.
Sipas Qendrave për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve në ShBA, Letonia tash për tash e ka shkallën më të lartë të infeksioneve me Covid-19 në botë, transmeton Gazeta Express.
Javën e kaluar, numri i pacientëve në spitale u rrit për 56 për qind, kurse numri i rasteve të rënda me Covid-19 u ngrit për 62.8 për qind. Rreth 79 për qind e rasteve të reja janë persona të pavaksinuar ose të vaksinuar pjesërisht.