Shteti ia merr fëmijët nënës nga Drenasi që lejoi dhunimin e vajzës së saj 14-vjeçare

Prishtinë | 20 Tet 2020 | 16:33 | Nga Ekonomia Online

Javë më parë, një 14-vjeçare në Drenas dyshohet se u dhunua nga një burrë, ndërsa në dijeni ishte edhe nëna e saj e cila nuk kishte ndërmarrë asgjë, e për këtë rast janë arrestuar të dy. Ndërsa, tani të gjithë fëmijët e gruas së arrestuar janë nën përkujdesjen e shtetit.

Kjo u bë e ditur nga Qendra për Punë Sociale në Drenas në një përgjigje për Gazetën Express.

“Po fëmijët i kemi marrë, i kemi dërguar në strehimore. Për momentin fëmijët janë ende në strehimore”, tha drejtori i kësaj qendre, Emin Dobra.

Burime të sigurta të Gazetës Express brenda institucioneve të drejtësisë kanë bërë të ditur se është hapur rast ndaj të dyshuarit dhe gruas për veprën penale Trafikim të Qenieve Njerëzore. Ata po dyshohen për pesë raste të trafikimit të qenieve njerëzore.

Ndërsa, gjendja e fëmijëve të cilët aktualisht janë në strehimore është e mirë.

“Ne jemi në kontakt me strehimoren dhe deri tani çdo gjë është në rregull”, tha Dobra.

Fëmijët për momentin nuk janë duke e vijuar mësimin në shkollë, por së shpëjti ata do të rikthehen në bankat shkollore.

“Besoj që së shpejti do të kthehen në shkollë. Kemi biseduar me drejtorin e shkollës që mos me pas pengesa dhe me vazhdu fëmijët mësimin”, shtoi Dobra.

Në kohën kur ka ndodhur ngjarja, fëmijët kanë shkuar te dajt e tyre, pastaj Qendra për Punë Sociale i ka marrë nën përkujdesje duke i dërguar në strehimore.

Gazeta Express thirrur në burime të veta brenda Prokurorisë së Shtetit, javë më parë ka bërë të ditur se nëna e 14-vjeçares kishte një lidhje jashtëmartesore me burrin që ia dhunoi vajzën, me dijeninë e saj. Nëna në momentin kur ka dalë me të dashurin e saj, e ka marrë edhe vajzën me vete, në mënyrë që të dalë më lehtë nga shtëpia, ndërsa i dashuri i saj e ka shfrytëzuar situatën dhe me pajtimin e nënës ka kryer marrëdhënie seksuale me 14-vjeçaren.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme