Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka pritur në takim një delegacion nga shteti i Iowas së ShBA-së, i përbërë nga rektorë, dekanë dhe profesorë të universiteteve, si (University of Iowa, The University of Northern Iowa, Des Moines Area Community College (DMACC), si dhe Drake University), me të cilat universitete, MASHT-i paraprakisht ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.
Ministri Bajrami ka thënë se Iowa është shtet vëllazëror për Kosovën. Ai ka thënë se është mundësi e shkëlqyeshme që universitetet publike dhe private të ndajnë përvojat e tyre me universitet të cilat janë në Iowa, raporton Ekonomia Online.
Ai paraqiti edhe sfidat me të cilat përballet sistemi i arsimit të lartë. Ndër to financim i qëndrueshëm, përmirësimi i cilësisë, lidhja e arsimit të lartë me nevojat e tregut të punës, etj.
“Ministria e Arsimit është ajo e cila ka më së shumti donatorë dhe ne presim edhe projekte të juaja sepse ne kemi aplikuar edhe në fondet e Bankës Botërore e do të jemi pjesë edhe e programit Erasmus+”, ka thënë ministri Bajrami.
Rob Dinson, president i kolegjit komunitar në Iowa ka thënë se shteti që ai përfaqëson dhe Kosova kanë një lidhje të veçantë, andaj ofroi mbështetje për sektorin e arsimit në Kosovë.
“Ne kemi me nevojë për IT këto janë kërkesat më të shumta që i kemi në kolegjin tonë. Ne i kemi studimet 1 dhe 2 vjeçare për saldim dhe për drejtime të tjera profesionale. Ne kemi bërë marrëveshje me UP-në në Kosovë dhe do të marrim studentë të cilët janë të interesuar për studime në kolegjin tonë”, ka thënë ai teksa ka folur edhe sfidat e tjera të cilat i ka përmendur ministri Bajrami.