Shteti jep para për veriun e Mitrovicës pa e ditur se çka u bë me to

Prishtinë | 18 Qer 2019 | 17:01 | Nga Ekonomia Online

Zyra Kombëtare e Auditorit ka publikuar të gjeturat për Komunën e Mitrovicës veriore.

Në këtë komunë Auditori ka hasur në parregullsi pas ndarjes së subvencioneve. Sipas raportit, ndarja e subvencioneve është bërë pa rregullore për subvencionim dhe pa kritere të qarta.

Menaxhmenti i komunës nuk ka vendosur kontrolle menaxheriale për menaxhimin dhe shpenzimin e këtyre fondeve, pasi nuk ka hartuar dhe miratuar një rregullore për mënyrën dhe kriteret e subvencionimit. Në mungesë të kësaj rregulloreje të gjitha subvencionet pa kufizim vlerash janë aprovuar me vendim të Kryetarit të Komunës dhe jo përmes miratimit nga Kuvendi Komunal, siç është praktikë tek të gjitha komunat për subvencionet në vlerë mbi 1000 euro.

Po ashtu, përfituesit e subvencioneve në asnjë rast nuk kanë dërguar raporte kthyese për mënyrën e shfrytëzimit të atyre mjeteve, për të konfirmuar se subvencioni i dhënë është shpenzuar për qëllimin për të cilin është dedikuar, përcjell lajmi.net.

Më tutje, nga shqyrtimi i dosjeve të subvencioneve, janë identifikuar mangësi në katër raste në vlerë totale 25,980 euro të ndara për Organizatat  Joqeveritare (OJQ).

Në këto dosje, mungojnë planet e hollësishme të buxhetit dhe plane të qarta për subvencionimin e shpenzimeve, si dhe reagime mbi mënyrën e përdorimit të këtyre fondeve. Sipas Rregullores MF-Nr-04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, komuna nuk ka përgatitur planin vjetor të mbështetjes financiare për OJQ-të pas miratimit të buxhetit vjetor (neni5) dhe nuk ka lëshuar thirrje publike për dhënien e subvencioneve për OJQ-të.

“Ne gjithashtu kemi vënë re se komisioni i vlerësimit ka vlerësuar kërkesat për subvencione dhe ka dhënë një propozim për dhënien e subvencioneve pa kritere të qarta, në mungesë të një Rregulloreje për subvencione. Kjo mënyrë e dhënies së subvencioneve ka ndodhur në mungesë të kontrolleve të brendshme, të cilat do të vendoseshin me miratimin e një rregulloreje të brendshme ku do të përcaktoheshin qartë kriteret dhe procedurat e dhënies së subvencioneve dhe menaxhimit adekuat të tyre”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas të njëjtëve mosaprovimi i rregullores së brendshme për dhënien e subvencioneve si dhe dështimi në monitorimin e subvencioneve, përkatësisht, mosraportimi i përfituesve, rritë rrezikun që subvencionet të mos ndahen për qëllime adekuate, pa kritere dhe në bazë të interesave të ndryshme, apo në mënyrën tjetër, në mos arritjen e qëllimit për të cilin janë dedikuar.

Tutje, thuhet se mos zbatimi i Rregullës së MF 04/2017, mund të çojë në shpenzimet e pakontrolluara të parave publike, si dhe jo transparencë dhe diskriminim në përzgjedhjen e kandidatëve përfitues të mundshëm të subvencioneve.

Të ngjashme