Furnizimi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (ShSKUK) me oksigjen të dyshimtë nga operatorë të palicencuar ka alarmuar sistemin shëndetësor në vend.
Me muaj të tërë, pacientët që trajtohen në QKUK dhe spitalet regjionale janë furnizuar me oksigjen të dyshimtë.
ShSKUK-ja ka dhënë leje që ta furnizojë QKUK-në dhe spitalet regjionale me oksigjen të dyshimtë, të cilët nuk kanë dhënë detaje për cilësinë e këtij oksigjeni. E kjo gjë, ka alarmuar edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Deputeti i AAK-së, Arbër Tolaj, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se është shqetësuese për të si profesionist shëndetësor dhe si grup parlamentar.
“…kemi dëgjuar se disa operatorë ekonomik të palicencuar janë duke bërë furnizimin me oksigjen në institucione publike, siç është QKUK dhe spitalet regjionale në Kosovë dhe ne si grup parlamentar po ashtu edhe si profesionist shëndetësor e ngritim shqetësimin lidhur me këtë çështje”, tha ai.
E pikërisht këto gjëra, sipas Tolajt po bënë që të fajësohet personeli shëndetësor. Ai thotë se kur oksigjeni është i tillë, atëherë faji bie te mjekët dhe infermierët.
“Po fatkeqësisht në këto rrethana çdo herë kur ndodhin gjëra jo të mira siç ka qenë humbja e jetëve të gjashtë personave muaj më parë, atëherë vetëm kanë filluar hetimet nga organet kompetente por si obligim profesional e kemi që ta sqarojmë opinionin dhe të sugjerojmë mediet dhe organet kompetente që mos ta fajësojnë personelin shëndetësor kur ndodhin këso gjëra, sepse vet fakti që oksigjeni i cili është mjet i domosdoshëm në këto raste”.
“…sidomos te personat të cilët janë infektuar me COVID-19 që të kenë kujdes sepse vërtetë personeli shëndetësor është duke bërë të pamundurën me orare të stërzgjatura, me përgjegjësi të madhe që vazhdimisht t’iu dilet në ndihmë personave që janë të infektuar me COVID-19”, u shpreh Tolaj, teksa ka apeluar që organet kompetente ta bëjnë punën e tyre.
Vepër penale e konsideron edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu. Sipas tij, këto raste nuk guxojnë ta rrezikojnë jetën e pacientëve.
“Është vepër penale. Ju e dini se para tri viteve ka qenë një rast tragjik për shkak të përdorimit të gazit të palicencuar dhe e njëjta nuk guxon ta rrezikojmë shëndetin e pacientëve tanë për shkak të papërgjegjësisë dhe keqmenaxhimit të përgjegjësve institucional, këtë rast Ministrisë së Shëndetësisë apo SHSKUK-së. Nuk guxohet të përdoret oksigjeni i palicencuar, është vepër penale dhe bëj apel te Prokuroria që të merret me rastin dhe MSh-ja të urdhërojë ndërprerjen e furnizimit me oksigjen të palicencuar”, tha ai.
Haxhiu ka apeluar që mos të fajësohet personeli shëndetësor nëse oksigjeni nuk është i duhur. Ai thotë se institucionet kanë dështuar në këtë drejtim, teksa thotë se aty ku është në dorën e personelit shëndetësor, situata është menaxhuar mirë.
“Personeli shëndetësor është duke e kryer punën e tyre me përgjegjësi dhe me përkushtim që nga fillimi i pandemisë”.
“Menaxherët janë ata që kanë dështuar dhe e kam thënë edhe në të kaluarën sepse aty ku ka qenë në dorën e personelit shëndetësor është menaxhuar shkëlqyeshëm por aty ku ka qenë në dorën e përgjegjësve politik është keqpërdorur dhe keqmenaxhuar, siç është rasti tani edhe me oksigjen”, tha Haxhiu, teksa shtoi se do të shkojnë deri në fund për ta zbardhur këtë rast.
Ekonomia Online ka tentuar të marrë një qëndrim nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Valbon Krasniqi u.d i drejtorit të SHSKUK-së, por të njëjtit nuk janë përgjigjur thirrjeve të redaksisë.