Autoritetet shëndetësore në Filipine të enjten vendosën që ta pezullojnë përdorimin e vaksinës së kompanisë AstraZeneca për Covid-19 për personat nën moshën 60-vjeçare për t’i hulumtuar raportet e mpiksjes së gjakut në shtetet tjera.
Pezullimi i përkohshëm erdhi pasi Agjencia Evropiane e Ilaçeve rekomandoi që të përfshihet edhe mpiksja e gjakut në listën e efekteve të rralla anësore, tha drejtori i Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve, Enrique Domingo, duke shtuar se ende nuk ka raste të raportuara të mpiksjes së gjakut në Filipine.
Deri më tani, Filipinet janë furnizuar me mbi 525 mijë doza të vaksinës së AstraZeneca-s përmes programit të COVAX-it, shkruan Reuters.
Përdorimin e kësaj vaksine për grupmoshat e reja dhe të mesme e kanë bërë edhe disa shtete tjera, përfshirë shtetet e mëdha evropiane.
Ndonëse mpiksja është shfaqur shumë rrallë në krahasim me numrin e përgjithshëm të personave të vaksinuar, ajo ka shkaktuar shqetësime për shkak se disa prej pacientëve me këtë problem kanë vdekur.
Megjithatë, Agjencia Evropiane e Ilaçeve dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë vazhdimisht kanë deklaruar se përfitimet që sjell vaksina ia marrin anën çfarëdo rreziku dhe kanë bërë thirrje që të vazhdojë përdorimi i saj.