Shteti në frikë: Planifikohet shfrytëzimi i spitaleve rajonale, Infektiva rrezikon të mos ketë shtretër

Prishtinë | 19 Qer 2020 | 17:16 | Nga Ekonomia Online

Rritja e numrit të të infektuarve me Covid-19 në ditët e fundit, ka shqetësuar institucionet shëndetësore në Kosovë.


Përveç rritjes së numrit të të infektuarve, edhe numri i vogël i shtretërve në Klinikën Infektive, ka mobilizuar këto institucione që të shohin mundësinë e trajtimit të të sëmurëve në Spitalet Rajonale, pasi  që rrezikon që Klinika Infektive të mos jetë në gjendje të pranojë më shumë pacientë.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë para Komisionit Parlamentar se Klinika Infektive aktualisht ka 125 shtretër dhe vetëm 6 respiratorë.

“Duke parë që shtimi i rasteve të Covid-19 në të njëjtën kohë ka rezultuar me rritje edhe të numrit të personave që kërkojnë tretman spitalor (me 18 qershor kemi pasur në Klinikën Infektive të spitalizuar 58 pacientë), në bashkëpunim me SHSKUK-në kemi rikthyer në mobilizim të plotë kapacitetet e Klinikës së Pulmologjisë, të Klinikës së Dermatovenerologjisë dhe të Mjekësisë Sportive si asistencë për Klinikën Infektive për të përballuar një fluks eventual më të lartë të pacientëve që mund të kenë nevojë për tretman spitalor. Klinika Infektive ka aktualisht 125 shtretër dhe 6 respiratorë, me mundësi të shtimit të tyre sipas nevojës”, ka thënë ministri Zemaj.

Por, duke parë situatën, ministri Zemaj ka thënë se në funksion do të jenë edhe repartet infektive të Spitaleve Rajonale.

“Gjithashtu, në funksion do të jenë edhe repartet infektive të Spitaleve të Përgjithshme (rajonale), ato që kanë kushte, sipas vlerësimit të bërë nga Zyra e OBSh-së në Kosovë, siç është Reparti i Sëmundjeve Infektive në Spitalin e Prizrenit”, është shprehur Zemaj, shkruan Reporteri.

Ky moblizim i kapaciteteve spitalore nënkupton rreth 500 shtretër që mund të vihen në funksion të trajtimit spitalor të Covid 19, pavarësisht se shumica e rasteve të reja të zbuluara gjatë qershorit, janë me simptomatologji të lehtë apo pa simptoma dhe mund ta tejkalojnë sëmundjen përmes vetizolimit 2 javor në shtëpi, duke monitoruar vet gjendjen e tyre dhe duke kërkuar edhe ndihmën e profesionistëve shëndetësor varësisht prej gjendjes së tyre.

“Për çdo rast, kemi mundësinë edhe të organizimit të kapaciteteve të tjera, varësisht prej rekomandimeve që mund të marrim nga IKSHPK dhe klinicistët dhe nevoja”, ka thënë ministri Zemaj.

Në Kosovë aktualisht janë 909 raste aktive me Covid-19.  Gjithnjë sipas të dhënave të Institutit, deri më tani janë kryer 20 mijë e 206 teste për këtë virus nga të cilë 1 mijë e 916 kanë rezultuar pozitiv. Ndërkohë janë shëruar 973 të prekur transmeton Reporteri. Si pasojë e këtij virusi në Kosovë kanë vdekur 34 persona.

Të ngjashme