Ministria e Punëve të Jashtme ka pasur një agjendë të ngjeshur sa i përket shpenzimeve gjatë vitit 2016. Ky institucion ka shpenzuar afro gjysmë milioni euro në paga, udhëtime zyrtare, avance, blerje, dreka e darka dhe shërbime të tjera. Insajderi ka siguruar raportin e shpenzimeve të kësaj ministrie.
Sukseset e diplomacisë kosovare nuk kanë qenë të shumta gjatë vitit që lamë pas, por Ministria e Punëve të Jashtme, ka qenë jashtëzakonisht e “suksesshme” në shpenzimet e saja.
Sipas raportit të shpenzimeve të kësaj ministrie, të cilën e ka siguruar Insajderi, gjatë vitit 2016 përkatësisht vitit fiskal janar-korrik Ministria e Punëve të Jashtme ka shpenzuar 224 mijë e 968 euro.
Lista e shpenzimeve përfshinë pagat, mallrat dhe shërbimet, udhëtimet zyrtare, akomodim, shpenzime të telefonisë, ato të këshilldhënies, shërbime teknike, blerje mobiliesh, furnizime, karburante, dreka e darka zyrtare e deri te pagesa për qira.
Vetëm në dreka zyrtare janë shpenzuar 26 mijë euro, ndërsa 32 mijë e 579 euro janë shpenzuar në avance për udhëtime zyrtare. Mbi 2 mijë euro janë shpenzuar në karburant për vetura.
Raporti vë në pah faktin se Ministria e Jashtme ka shpenzuar 24 mijë e 613 euro në paga teksa vetëm në mallra dhe shërbime janë shpenzuar hiq më pak sesa 200 mijë e 354 euro. Në këto shpenzime hynë edhe udhëtimet zyrtare brenda vendit
Ndërsa shpenzimet udhëtimeve zyrtare jashtë vendit kapin shifrën prej 97 mijë e 657 euro ndërsa për meditje të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit janë shpenzuar 9 mijë 480 euro.
Afro 8 mijë euro (7.784) janë shpenzuar në akomodim për udhëtime zyrtare jashtë vendit, teksa për shpenzimet e tjera në udhëtimet jashtë janë shpenzuar 1 mijë e 731 euro.
8 mijë e 835 euro janë shpenzuar në telefoninë mobile, teksa shërbimet e ndryshme të këshilldhënies kapin koston prej 5 mijë e 43 euro.
MPJ ka shpenzuar edhe shërbime të ndryshme shëndetësore, apo për blerjen e pajisjeve që nuk janë specifikuar në raportin e MPJ-së.
Të tjera shpenzime që janë regjistruar në këtë raport janë edhe pagesat për “shpenzime teknike” 240 euro, “furnizime për zyrë”, 160 euro, “furnizime me veshmbathje”, 600 euro dhe “qiraja për ndërtesë”, 1 mijë e 200 euro.