Për shkak të festave që bien në vikend, të punësuarit në sektorin publik do të pushojnë edhe disa të hëne të muajit prill. Të gjithë qytetarët që i intervistoi Ekonomia Online po kërkojnë që ky vendim të largohet.
Sot të gjitha institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës pushojnë për shkak të Ditës së Kushtetutës, e cila u festua të shtunën më 9 prilli.
Pushim do të jenë edhe 2 të hëna të tjera të muajit prill. Më 18 prill për shkak se të dielën e 17 prillit festohen Pashkët Katolike, si dhe më 25 prill, për shkak të Pashkëve Ortodokse, të cilat do të festohen të dielën e 24 prillit.
Qazim Kozmaqi, qytetar, tha se institucionet shtetërore janë mësuar të pushojnë më shumë sesa të punojnë. Sipas tij pushimi në ditët e punës nuk është në rregull e se ky vendim duhet të largohet.
“Këta janë mësu vetëm me bë pushim, këta nuk dinë me bë punë. Vikendi kur të bien të shtunën ose të dielën qatë ditë duhet me pushu. Tash pashkët e tjetra festa. Na shkojnë 12-14 ditë në vit pushime. Nuk është në rregull, për mendimin tim nuk është në rregull kjo”.
“Duhet me largu gjithsesi, kjo është tepër diçka, pushim, pushim, pushim. Veç me flejt”, tha ai.
Bahri Shabani për këtë vendim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që për festat të cilat bien në vikend, të jetë pushim gjatë ditëve të punës thotë se është vendimi më i keq që mundet me qenë.
“Ky është vendimi më i keq që mundet me qenë. Gjithkund në vendet perëndimore festa kur të bie festë pushon qatë ditë, jo sikur tek ne e plotësojnë të hënën e të martën e me ra të dielave. Shumë keq është”.
“Duhet me largu për mendimin tim po, po ata që pushojnë kanë qejf mos me largu”, raporton EO.
Edhe Rabie Ajeti thotë se duhet të largohet vendimi në fuqi e se sot do të duhej të punohej.
“Ka qenë dita e Kushtetutës, e hëna nuk ka të bëjë me të shtunën.”
“Po gjithsesi duhet me largu këtë vendim sepse sot duhet me qenë punë”.
Musa Aliu tha se ligji në fuqi duhet të respektohet, por që duhet larguar se Kosovës i duhet më shumë punë, raporton Ekonomia Online.
“Ligji momental në fuqi është kështu dhe për deri sa ai është në fuqi, duhet me respektu”.
“Sigurisht se po, duhet për arsye se më shumë i duhet këtij vendi punë, më shumë i duhet”, raporton EO.