Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se sot është realizuar pagesa për masën 3b të Pakos Emergjente, atë të subvencionimit të qirasë deri 50 për qind për 3599 përfitues.
Sipas një njoftimi nga Bajrami, vlera e këtij subvencionimi ka arritur në 634 mijë euro. Ajo ka thënë se në proces të finalizimit janë edhe 4193 përfitues të tjerë, në vlerë totale prej një milion e 354 mijë euro.
Bajrami po ashtu ka thënë se sot është bërë edhe pagesa për skemat pensionale dhe sociale për muajin qershor për 289613 përfitues.
“Pagesa e muajit Qershor përfshin edhe zbatimin e masës dy (2) për përfitimin e shtesës prej 30 Euro për kategoritë e caktuara si dhe pagesën për të ri-kthyerit përkohësisht në listat e përfituesve, të paraparë me pakon emergjente fiskale, me ç’rast është përmbyllur edhe ekzekutimi i kësaj mase të pakos emergjente”, ka shkruar Bajrami në Facebook.