Ndonëse, bisedimet për krijimin e koalicionit qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje (LV),e cila ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), janë duke vazhduar, të dy partitë nuk po arrijnë të zgjidhin nyjën, e cila bllokon arritjen e një marrëveshjeje për koalicionin qeverisës, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Sipas tyre, tashmë është e nevojshme që të dy partitë të gjejnë zgjidhje kreative, e cila do ta zhbllokonte situatën dhe të arrihej një marrëveshje për koalicion.
Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë, që bllokada e cila është krijuar në bisedimet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, imponon edhe zgjidhje radikale në rast se ekziston vullneti për ta tejkaluar këtë bllokadë.
Të dy partitë, sipas tij, tashmë kanë mbetur peng të premtimit të tyre se qeveria e përbashkët nuk do të ketë më shumë se 12 ministri.
Siç thotë ai, në mungesë të një strategjie normale të ndarjes së pushtetit, me qëllim që të arrihet një marrëveshje ndërmjet dy partive, atëherë duhet të kërkohen ide tjera reale, e që sipas tij, mund të jetë rritja e numrit të ministrive në qeverinë e ardhshme.
“Sigurisht që do të ndikonte edhe në zbutjen e presioneve përbrenda partive, të cilat i ka lider i Vetëvendosjes, (Albin) Kurti, por edhe lideri i LDK-së (Isa) Mustafa. Pra, ekziston një presion i madh edhe prej strukturave (partiake), në mënyrë që të akomodohen brenda ministrive dhe do të mund të relativizohej kjo bllokadë. Të dyja partitë do të mund të dilnin para elektorateve të tyre respektove me idenë se kanë përfituar nga ndarja e pushteteve dhe mund të kenë ndikim në sa më shumë fusha të jetës”, tha Muhaxhiri.
Por, njohësi tjetër i zhvillimeve politike, Armend Muja, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që të dy partitë që synojnë koalicionin qeverisës, LVV dhe LDK, tashmë e janë në fazën kur i kanë tejkaluar mosmarrëveshjet për dikasteret specifike dhe rritjen e mundshme të numrit të dikastereve, nuk e sheh si esencial për arritjen e një marrëveshje për koalicion.
“Sado që nuk e përjashtoj faktin që çfarëdo kreativiteti aty, në ndarje të dikastereve të veçanta, mund ta lehtësojë marrëveshjen. Por, këta e kanë kriterin kushtetues që, në momentin kur shtohen ministritë, atëherë ministria e trembëdhjetë duhet t’i takojë komuniteteve. Pastaj, është një ministri e humbur, këtë kalkulim të tyre. Do të thotë, nuk mund ta merr asnjëra prej tyre. Atëherë, duhet bërë 14 apo 15 ministri dhe kjo e vështirëson atë konceptin, mbi të cilin këto parti kanë fituar në zgjedhje”, tha Muja.
Megjithatë, të dy këta njohës të zhvillimeve politike, nuk besojnë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do ta zgjedhin opsionin e rritjes së numrit të dikastereve qeveritare, si mundësi për arritjen e marrëveshjes për koalicion.
Muhaxhiri thotë se pavarësisht se është opsion real, të dy partitë deri më tash kanë lënë përshtypjen se u mungon vullneti për arritjen e një marrëveshjeje për koalicion qeverisës.
“Duke pasur parasysh mungesën e vullnetit për bashkëpunim ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, atëherë me siguri se ato do të zbulojnë edhe ndonjë pengesë tjetër, në mënyrë që ta arsyetonin mosarritjen e koalicionit. Janë vetëm dy opsione: zgjedhje të reja apo një qeveri e gjerë, me afat të caktuar, varësisht prej presioneve ndërkombëtare dhe prej agjendave gjeostrategjike për Ballkanin, të cilat natyrisht që e prekin edhe Kosovën”, vlerësoi Muhaxhiri.
Por, Muja shpreh mendimin që as posti i presidentit dhe as ministritë specifike nuk janë çështjet kryesore që e pengojnë arritjen e një marrëveshjeje koalicioni ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas tij, të dy këto parti, sillen rreth dy skenarëve të mundshëm, të cilat e pengojnë marrëveshjen.
“Skenari i parë është skenari gjerman, ku partia e parë merr kryeministrin dhe partia e dytë merr zëvendëskryeministrin, si dhe partia e dytë merr presidentin dhe partia e parë merr kryetarin e Kuvendit, ndërkaq që ndarja e ministrive është e barabartë. Ndërkohë, partneri i parë lëshon pe në një ministri derisa të zgjidhet posti i presidentit nga LDK-ja. Ky është skenari gjerman. Skenari i dytë, që unë mendoj se e kërkon LDK-ja, është që të rikthehemi edhe një herë në datën 25 dhjetor”, u shpreh Muja.
Kthimi në situatën e datës para 25 dhjetorit, sipas analistit Muja, nënkupton që Lëvizja Vetëvendosje të pajtohet me kërkesat e Lidhjes Demokratike të Kosovës që të tërhiqet nga pozita e kryetarit të Kuvendit ose që kryetari i Kuvendit të japë dorëheqje.