Në komunën e Shtimes, një pjesë e madhe e nxënësve kanë mbetur jashtë platformës elektronike për ta ndjekur mësimin “online”.
Kjo për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe pamundësisë për t’u pajisur me telefona apo llaptopë.
Ndërkohë, Komuna e Shtimes ka nisur një aksion për të grumbulluar pajisje elektronike, të cilat nuk i përdorin qytetarët, në mënyrë që ato t’ia dërgojnë fëmijëve nevojtarë për ta ndjekur platformën e mësimit “online” në këtë kohë të pandemisë.
Fillimisht, këtij aksioni i është përgjigjur kryetari i komunës, Naim Ismajli dhe nënkryetari Rrahman Jakupi, të cilët kanë dhuruar nga një llaptop, pastaj kryesuesja e Kuvendit Medina Brahaj ka dhuruar një tablet.
“Për shkaqe të pengesave ekonomike, qytetarët mund të dhurojnë pajisje të teknologjisë e që në këtë iniciativë kërkojmë të bashkoheni edhe ju qytetarë që keni në shtëpi ndonjë pajisje të pashfrytëzuar të Teknologjisë Informative. Të gjithë ne, kush më pak e kush më shumë, ka mundësi të zgjasë një dorë për të nxjerrur në dritë tjetri e, sidomos kur bëhet fjalë për femijët që janë në ndërtim e sipër të jetës së tyre”, thuhet në komunikatën e komunës.
Sipas tyre, çdo fëmijë ka ëndrra për të ardhmen, por që ëndërrat e tyre të jetësohen, disa nga ta kanë nevojë për përkrahjen e shoqërisë.
“Nga qëllimi më i mirë dhe mendimi që së paku fëmijet të ndjehen të integruar në mënyrë të barabartë, të ndjejnë përkrahjen e shoqërisë edhe në këtë kohe “lufte botërore”, duke u nisur edhe nga drejtorët e zyrtarët komunal, institucionet dhe bizneset e komunës tonë, kërkojmë që të bashkoheni edhe JU në këtë iniciativë solidariteti sepse ështe më e pakta që mund të bëjmë.
Çdo dhurim i juaji do të evidentohet dhe emrat tuaj si dhurues do të publikohen në ueb faqen e Komunës së Shtimes dhe faqen e Komunës së Shtimes në Facebook”, thuhet në komunatë.