Përtej çdo konspiracioni, grevat dinë të jenë të rrezikshme. Në shoqëritë si kjo jona, edhe njerëzit me poste publike dinë të bëhen robër të inateve dhe mbajtjes së fjalës. Kryeministri, fatkeqësisht është i vetëm përballë armatës së mësimdhënësve.
Greva ka dhe duhet të ketë zgjidhje të shpejtë. Vazhdimi i grevës po i trimëron mësimdhënësit, duke i bë më këmbëngulës në kërkesat e tyre. Moszgjidhja e shpejtë përveç humbjes së mësimit krijon një situatë absurde të fortifikimit dhe betonimit në pozicione. Implikimet buxhetore të rritjes së kërkuar mund të jenë të papërballueshme, por qeveria këtë punë ka – gjetjen e zgjidhjeve. Rritja aq e madhe dhe për numër aq të madh kushton tepër shumë. Gjithashtu, rritja eventuale e kërkuar trimëron sektorët e tjerë për kërkesa të ngjashme. Në anë tjetër, rrallëkund sektori publik paguan më mirë se sektori privat, siç ndodh në Kosovë.
Ndoshta aty do kërku zgjidhja – në rritjen e rrogës minimale në nivel vendi. Me këtë do të krijohej balanci i çmimit të punës në vend, mendoj unë, pa qenë farë njohësi i fushës, por dashamirës gjithsesi. Pra, zgjidhja është diku në mes dhe qeveria është zgjedhë për të zgjidhë probleme.
Deklaratat se mësimdhënësit nuk meritojnë rroga më të larta, deklaratat axhamishi se mësuesit grevistë mund të zëvendësohen, deklaratat se mësuesit punojnë vetëm nga dy-tri orë në ditë, janë benzinë në zjarr – ata që flasin kështu janë shtinca e shtincat janë qyqana. Shtinca e qyqana janë edhe ata që pyesin a do të dorëzohet kryeministri para mësimdhënësve, pasi kryeministri asnjëherë s’ka qenë kundër mësimdhënësve dhe s’ka pse dorëzohet para askujt, pra nëse gjen zgjidhje, nuk do të thotë se është dorëzu, por e ka bë punën që i takon – ka gjetë zgjidhje.
Nëse kryeministri ia del me gjetë zgjidhje, edhe nëse rritja nuk është 30 për qind, qysh ka lypë SBASHK-u, mësuesit duhet me e pranu zgjidhjen, qoftë edhe si të përkohshme. Shtincat i kanë punët e veta, duan me kriju mjegull.
E mësimdhënësve e nxënësve të tyre nuk u duhet mjegulla, por qartësia. E mësimdhënësit, në secilin rast duhet të zotohen se kanë me punu kundrejt detyrave që i kanë. Ne si mësimdhënës konkurrojmë për vendet e punës, konkurrojmë duke i pasë parasysh edhe obligimet edhe shpërblimet, ndaj mospuna dhe papërkushtimi nuk arsyetohen me kurrgjë, pra as mungesa e rezultateve arsyetohet me lartësinë e rrogës.
Kryeministër, nëse gjen zgjidhje nuk do të thotë që je dorëzu. Shtincat ose duan me të prishë me armatën e mësimdhënësve ose duan me ta dëshmu lojalitetin përmes mbështetjes axhamishi. Gjeje zgjidhjen, kryeministër dhe ktheji fëmijët në shkolla!