Gjatë viteve 2018/2019, Ministria e Arsimit ka regjistruar 22 raste të dhunës në shkolla, ku 19 prej tyre janë bullizëm apo dhunë psikologjike dhe fizike që nxënësit ushtrojnë ndaj moshatarëve të tyre.
Sipas Ministrisë, në vitet 2017/2018 kanë qenë 18 raste të dhunës në shkolla të regjistruara në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim (SMIA), shkruan sot “Koha Ditore”. Në bazë të të dhënave të MASHT-it, nxënësit që kanë kryer bullizëm ndaj fëmijëve të tjerë janë nga klasa e dytë deri tek e nënta apo prej moshës 7 deri në 14-vjeçare.
Sipas Petrit Tahirit, nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), të gjitha hulumtimet dhe analizat e zhvilluara në vitet e fundit tregojnë se niveli i dhunës, përkatësisht bullizmit në shkolla është mjaft i lartë. E Merita Jonuzi, koordinatore për të drejtat e njeriut në MASHT, thekson se shkollat nuk po e raportojnë sa duhet dhunën. Faktorët kryesorë të shprehjes së kësaj dukurie, sipas sociologëve, janë problemet familjare dhe aspekti psiko-social.
Koordinatorja për të drejtat e njeriut në MASHT, Merita Jonuzi, ka bërë të ditur se që nga vitet 2014/2015 në Ministri janë raportuar gjithsej 141 raste të dhunës në shkolla. Sipas saj, Ministria, për ta motivuar raportimin e këtyre rasteve, vitin e kaluar i ka shpërblyer shkollat.