Në përpjekje për ta luftuar shtimin e vetëvrasjeve për herë të parë pas 11 vjetëve, kryeministri i Japonisë, Yoshihide Suga, e caktoi Tetsushi Sakamoton si ministrin e parë të Vetmisë.
Përpos këtij problemi, ministri i ri do të jetë përgjegjës edhe për luftimin e rënies së shtimit natyror dhe fuqizimin e ekonomive rajonale, shkruan Business Today, transmeton Gazeta Express.
Sakamoto tha në konferencën e parë si ministër se kryeministri Suga e ka zgjedhur atë për t’i adresuar çështjet me rëndësi kombëtare, përfshirë problemin e rritjes së shkallës së vetëvrasjes së grave gjatë pandemisë.
“Suga më udhëzoi që ta ekzaminoj problemin dhe të çoj përpara një strategji gjithëpërfshirëse duke u koordinuar me ministrinë përkatëse. Shpresoj të kryej veprime për parandalimin e vetmisë shoqësore dhe izolimit dhe për t’i mbrojtur lidhjet mes njerëzve”, tha Sakamoto.
Sipas tij, Japonia regjistroi rreth 880 vetëvrasje të grave vetëm në tetorin e vitit të kaluar, që përbën rritje prej 70 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2019.
Ekspertja e vetëvrasjeve, Michiko Ueda, sqaron pse kaq shumë gra po e vrasin veten. “Shumë gra nuk janë të martuara. Ato duhet ta mbajnë jetën e tyre dhe nuk kanë vende pune të përhershme. Prandaj, kur diçka ndodh, natyrisht se goditen shumë shumë rëndë”, tha ajo.