Shtohet numri i aksidenteve, Policia apel shoferëve

Prishtinë | 17 Kor 2016 | 11:06 | Nga

Referuar shtimit të numrit të aksidenteve, Policia e Kosovës me njësitet relevante të saj, rregullisht ka ndërmarrë masa konkrete në ngritjen e nivelit të sigurisë në komunikacionin rrugor si në aspektin parandalues, ashtu edhe në atë veprues.

Përmes një apeli dërguar mediave, Policia thotë se kanë zhvilluar një numër të madh të aktiviteteve në funksion të sensibilizimit të qytetarëve dhe vetëdijesimit të tyre lidhur me parandalimin e aksidenteve rrugore, duke filluar nga fushatat vetëdijesuese përmes spoteve të ndryshme televizive, broshurave, komunikatave, apeleve dhe informacioneve për publikun.

Policia gjithashtu, në mënyrë konsistente ka zhvilluar dhe implementuar plane operative policore konkrete, si dhe ka ndërmarr masat e nevojshme ligjore duke përfshirë edhe shqiptimin e gjobave aty ku pjesëmarrësit në komunikacion kanë rënë ndesh me ligjin mbi sigurinë dhe komunikacionin rrugor.

“Referuar analizave policore në të shumtën e rasteve është konstatuar se deri te aksidentet kanë çuar; Tejkalimi i shpejtësisë, Mos mbajtja e distancës, (pra mos respektimi i dispozitave që dalin nga ligji mbi sigurinë në komunikacionin rrugor), gjithashtu edhe gjendja teknike e automjeteve dhe kushtet e rrugës janë nder faktorët tjerë kontribuues, por e ritheksojmë që faktori kryesor për shkaktimin e aksidenteve mbetet faktori njeri”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.

Policia ka bërë apel tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të jenë më të kujdesshëm dhe t’i respektojnë rregullat që dalin nga ligji për komunikacionin rrugor, t’i respektojnë shenjat, t’u shmangen përdorimit të telefonave mobil gjatë vozitjes, mos të drejtojnë automjetin nën ndikimin e alkoolit, lodhjes apo gjumit, në mënyrë që t’iu shmangen aksidenteve dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në uljen e numrit të jetëve të humbura në aksidente komunikacioni si shqetësim që preokupon si qytetarët tanë, Policinë e Kosovës, po ashtu edhe akterët tjerë përgjegjës të kësaj fushe.

“Policia e Kosovës vazhdon të jetë aktive duke përfshirë edhe bashkëpunimin me institucione tjera relevante dhe vetë qytetarët për të ndikuar në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme që ndërlidhen me ngritjen e nivelit të sigurisë së përgjithshme në komunikacion duke përfshirë edhe sanksionet që dalin nga ligjet e aplikueshme në vend”, thuhet në fund të këtij apeli

Të ngjashme