Kryeqyteti vazhdon të jetë i mbushur me qen endacakë, të cilët janë të pranishëm kudo nëpër qendra e lagje të Prishtinës.
Qoftë në Parkun e Qytetit, në hapësirat e oborrit të Universitetit të Prishtinës apo edhe në sheshet kryesore në kryeqytet, numri i qenve endacakë sa vjen e rritet, raporton KOHA.
Derisa qytetarë të Prishtinës tregojnë për sulmet që u kanë ndodhur, por thonë se më të rrezikuarit janë fëmijët.
Për rastet dhe sulmet e qenve endacakë ndaj qytetarëve nuk kanë pranuar të komentojnë nga Klinika e Emergjencës në QKUK e as nga Klinika Infektive e këtij institucioni.
Për këtë çështje ka mbajtur një takim Këshilli i kryetarëve të komunave, që është në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) me drejtues të Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit.
Sipas Sazan Ibrahimit, të gjitha komunat janë duke u përballur me gjendje alarmante dhe se ato kanë kërkuar nga AUV-i që si institucion përgjegjës të merret më seriozisht me këtë çështje.
“Duke iu afruar stinës së dimrit kjo situatë do të na dërgoj në diçka të padëshiruar dhe për këtë arsye është kërkuar nga AUV-i që të ndërmarrë masa konkrete në eliminimin e kësaj dukurie dhe ti trajtoj qentë ashtu si e kanë përgjegjësinë. Atyre iu kanë bartë disa përgjegjësi e po ashtu edhe buxheti ashtu që ata të trajtojnë qentë në mënyrë të duhur, mirëpo sa u pa gjatë diskutimit në këtë takim, zgjidhje konkrete edhe më tutje nuk ka”, ka thënë Sazan Ibrahimi, drejtor i AKK-së.
Ibrahimi ka shtuar se në këtë takim me kryetarët e komunave kanë diskutuar edhe për krijimin e strehimoreve rajonale për qentë endacakë, që do të ndihmonin në eliminimin e problemit në nivel vendi.